Një program i Bundestagut gjerman, që financon bursa studimi jashtë Shqipërisë për të rinjtë shqiptarë, ka vënë në fokus nevojën që ka vendi për personat e mirëarsimuar.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe ambasadorja gjermane, Karola Myler-Holtkemper, kanë vënë theksin tek domosdoshëmria e kontributit të personave të kualifikuar në shkollat perëndimore për të ndihmuar në ecjen përpara të vendit.
Duke vënë në dukje se një numër i konsiderueshëm prej këtyre të rinjve që kanë studiuar jashtë vendit janë bërë tashmë pjesë e adminsitratës shqiptare, zonja Topalli i dha përgjigje edhe pyetjes që beri vetë për këta të arsimuar jashtë vendit: “A ia vlen të kthehesh në Shqipëri?”.
“Po, ia vlen, sepse vendit i duhet kontributi i të gjithëve dhe se destinacioni final dhe i pashmangshëm është anëtarësimi në Bashkimin Europian”, u përgjigj Topalli.
Ambasadorja gjermane, Karola Myler-Holtkemper e vlerësoi programin e Bundestagut “Bursa Parlamentare Ndërkombëtare” si një mjet për forcimin e vlerave demokratike.
Ashtu si kryetarja e Kuvendit, edhe ambasadorja Holtkemper shprehu bindjen e saj se, “ia vlen të kthehesh në Shqipëri për t’u bërë pjesë e ndryshimeve, suksesit ekonomik dhe afrimit të vendit me strukturat europiane”.
Top Channel