Bien aksionet e CEZ në bursa

11/05/2012 00:00

Agjencia prestigjoze e lajmeve ‘Bloomberg’ raportoi se aksionet e grupit
CEZ në bursat botërore ranë në nivelin më të ulët, që nga muaji nëntor,
menjëherë pasi kompania deklaroi se pret humbje të mëdha në Shqipëri.

Në raportin për vitin 2011, grupi CEZ pretendon se vendimi i Entit Rregullator në Shqipëri, që rriti çmimin e energjisë për KESH, do i shkaktojë asaj 515 milionë dollarë humbje gjatë periudhës 2012-2014. Sipas ‘Bloomberg’ çmimi i aksioneve të CEZ zbriti në 711 koruna, pas një seri 5 ditore rëniesh.

Grupi CEZ erdhi në Shqipëri në vitin 2009, kur bleu ish-kompaninë shtetërore të shpërndarjes së energjisë me një çmim prej 60 milionë euro, ose gati 9 herë më pak se humbjet që ajo pretendon për tre vitet ardhshme.

Ndërkaq këtë të enjte kompania publikoi edhe bilancin financiar për tre muajt e parë të viti. Sipas CEZ gjatë periudhës janar-mars, fitimi neto i grupit ra me 14 për qind krahasuar me një vit më parë dhe shkaku kryesor sipas saj janë humbjet, që ajo po pëson në Shqipëri.

Agjencia prestigjoze e lajmeve, Reuters komenton se humbjet në Shqipëri janë ilustrimi më i keq i strategjisë së mëparshme të grupit CEZ për t’u zgjeruar në vendet e Europës Qendrore dhe asaj Juglindore. Kompania prej kohësh, në mosmarrëveshje me Entin Rregullator dhe qeverinë shqiptare në fund të muajit mars ka kërkuar zyrtarisht nga Banka Botërore të ekzekutojë garancinë prej 60 milionë eurosh.
 
CEZ shprehet se është duke zhvilluar takime në Shqipëri, për një ndryshim të formës së tarifave, që u prezantuan nga 1 Janari 2012, çeshtje të cilën po e ndjek edhe penalisht. Kompania thote se eshte e përgatitur për të përdorur të gjitha mundësitë, qoftë dhe dergimin e ceshtjes ne Gjykate Nderkombetare në rast se negociatat nuk do të sjellin asnjë progres.Problemet e CEZ në Shqipëri, sollën pak javë më parë në Tiranë vetë kryeministrin çek Peter Necash, i cili u takua me kryeministrin Berisha dhe ku një nga temat kryesore ishte pikërisht konflikti mes CEZ dhe autoriteteve shqiptare dhe kompania shpreson ne nje zgjidhje përmes negociatave.  

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta