Siri, dy shpërthime në Damask, 55 viktima

10/05/2012 00:00

Dy shpërthime kanë tronditur mëngjesin e së enjtes kryeqytetin sirian, Damaskun, duke vrarë mbi 55 persona dhe plagosur rreth 200 të tjerë.

Lajmin e kanë bërë të ditur banorë të qytetit dhe dëshmitarë nga vendngjarja, të cituar nga mediat ndërkombëtare.

Ndërkohë, televizioni shtetëror sirial i ka cilësuar dy shpërthimet si “sulme terroriste”, të verifikuara në kryqëzimin e Kazazit, në unazën jugore të kryeqytetit.

Në Damask janë verifikuar shpërthime të shumta muajin e kaluar, me protestat anti-qeveritare që kanë vazhduar.

Shpërthimi i fundit fatal ishte ai në fund të prillit, kur të paktën 10 persona mbetën të vrarë nga një autobombë në afërsi të një xhamie.

Ndërkohë, një seri bombardimesh janë kryer gjatë natës nga ushtria siriane në pjesën veriore të qytetit të Homsit, bombardime që nga aktivistët janë vlerësuar si më të rëndat në javët e fundit.

Në Homs ndodhen 11 vëzhgues të Kombeve të Bashkuara, në përpjekje për të vendosur armëpushimin, në kuadër të planit ndërkombëtar të paqes.

Por një korrespondent i BBC në këtë qytet thotë se vëzhguesit kanë një mision të pamundur përpara, duke qenë se të dyja palët e shkelin armëpushimin.

Vëzhguesit ndodhen në vend në kuadër të planit të përbashkët të paqes mes OKB-së dhe Ligës Arabe dhe filluan të mbërrinin muajin e kaluar.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel