Putin shtyn takimin me Obamën

10/05/2012 09:15

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka njoftuar homologun amerikan Barack Obama se nuk do të marrë pjesë në samitin e G8-ës që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara më vonë gjatë muajit.

Zoti Putin, që u betua si president këtë javë pas katër vitesh të kaluara si kryeministër, njoftoi autoritetet amerikane se është i zënë me formimin e kabinetit.

Ai do të zëvendësohet në këtë samit nga presidenti i larguar Dmitry Medvedev, që e zëvendësoi Putin në postin e kryeministrit.

Dy presidentët, ai amerikan dhe ai rus, do të mund të takohen në samitin e mëvonshëm të G20-ës, që do të zhvillohet në qershor në Meksikë.

Në një deklaratë për media të Shtëpisë së Bardhë thuhet se, presidenti Putin i shprehu keqardhjen e tij presidentit Obama përmes një bisede telefonike.

Më herët gjatë javës, Uashingtoni zyrtar kritikoi reagimin e policisë ruse ndaj protestave anti-Putin në Moskë.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit deklaroi se Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara nga keqtrajtimi i protestuesve paqësorë.

Organizatorët deklaruan se 20 mijë persona morën pjesë në një protestë ditën e diel kundër inaugurimit të Putin, edhe pse policia tha se ishin vetëm 8 mijë.

Top Channel