Ironizon Zonjën e Parë të Francës, humb vendin e punës

10/05/2012 15:50

Një status në rrjetin social Twitter i kushton vendin e punës. Kjo është historia e gazetarit francez, Pierre Salviac, 65-vjeç.

Në profilin e tij në Twitter, tre ditë nga verdikti i francezëve që zgjodhën Francois Hollande në krye të “Ellysee”, gazetari i stacionit radiofonik, RTL shkruan një “këshillë për të gjitha mikeshat e tij”.

“Bëni seks të dobishëm. Një ditë mund të bëheni Zonja e Parë e Francës”, shkruan ai, duke vënë në lojë Valerie Trierweiler , gruaja me të cilën bashkëjeton Francois Hollande, presidenti i sapozgjedhur i Francës.

  

Pas hedhjes së këtij statusi, qindra persona reaguan duke e quajtur komentin si një shaka të tepërt, maskiliste dhe diskriminuese seksuale. Mes reagimeve u ngritën edhe zërat për marrjen e masave ndaj tij, për shkarkimin nga puna.

Reagimi i parë ka mbërritur nga vetë kryeredaktori i radios RTL. Edhe ai në Twitter shkruan: “Komenti yt është i tepërt dhe thellësisht maskilist”.

Kaq ka mjaftuar që gazetari 65-vjecar të mësojë shkarkimin nga puna nga valët e radios ku punonte. Në një komunikatë për dëgjuesit e saj, radio RTL e quajti komentin e gazetarit Pierre si “të patolerueshëm dhe të papranueshëm, ndaj bashkëpunimi mes radios dhe gazetarit merr fund”.

65-vjeçari Salviac kërkoi ndjesë, megjithatë kjo nuk pengoi përdoruesit e rrjetit social dhe ndjekësit e tij në botën virtuale që të deklaronin se kjo nuk ishte hera e parë që Salviac shfrytëzonte Twitter për të ofenduar. Në muajin janar, në një status të tijin, deklaronte se sipas një sondazhi “63 përqind e francezëve janë pro martesave mes të njëjtit seks”.

Por pavarësisht se u shkarkua, gazetari polemizues francez mbetet në qendër të vëmendjes. Në forume të ndryshme në internet, shumë vazhdojnë ta sulmojnë për shkak të deklaratës, ndërkohë që të tjerë ironizojnë duke deklaruar se “Salviac arriti të hyjë në gazetarinë franceze, duke u bërë gazetari i parë që pushohet nga puna për shkak të një statusi në Twitter”.

Top Channel