Aksident i rëndë në Kosovë, kamioni përplaset me tre makina, shtatë të plagosur
Fusnota me të cilën duhet të paraqitet Kosova në nismat rajonale, për të
cilën Prishtina dhe Beogradi ranë dakord në shkurt, duket se nuk po jep
efektet e pritura.
Ndonëse autoritetet kosovare shpresonin që me këtë prezantim Kosova të bëhej pjesë e të paktën 60 organizatave rajonale, deri tani vetëm 7 të tilla i kanë hapur asaj dyert.
Sipas “RTK”, këtë e ka konfirmuar numri dy i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, i cili gjithësesi është shprehur optimist se deri në fund të vitit numri i aderimeve do të rritet, duke parë dhe kërkesat e shumta që janë bërë nga Prishtina.
“Deri tani nga Brukseli janë dërguar 27 kërkesa fillestare për një grup organizatash. Tani, kemi kërkuar nga ndërmjetësi Robert Cooper që të dërgojë raundin e dytë të kërkesave dhe presim që deri në fund të vitit Kosova të jetë në proçedurat e anëtarësimit në 50 ose 60 organizata e mekanizma rajonalë”, ka deklaruar Selimi.
Sipas tij, listën e organizatave ku Kosova synon të aderojë Ministria e Jashtme e ka hartuar në bashkëpunim me zv.kryeministren Edita Tahiri dhe ndërmjetësuesin e BE-së, Robert Cooper.
Pjesëmarrja në këto grupime prite të ketë vlerë konkrete ekonomike, tregtare dhe politike për shtetin e ri të Ballkanit, është shprehur zv.ministri i Jashtëm.
Më 24 shkurt në Bruksel, Prishtina dhe Beogradi arritën një marrëveshje për paraqitjen e Kosovës me një fusnotë të përbërë nga një asteriks, si dhe rezoluta 1244 dhe vlerësimi i GJND-së për pavarësinë.
Top Channel