Në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian “Dita e Europës” është ditë pune, ndërsa në Kosovë vazhdon të jetë ditë pushimi për institucionet publike.

Por, që nga viti i ardhshëm nuk do të jetë më kështu. Ministrja për Integrime Europiane, Vlora Çitaku, paralajmëroi se 9 maji i ardhshëm do të jetë ditë pune. Sipas ministres e cila shpeshherë e ka ngritur çështjen e ditëve të shumta të pushimit, në Europë nuk mund të hysh duke pushuar e festuar.

Gjatë së mërkurës festimi i 9 majit nuk mungoi në Kosovë. Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë së bashku me Ministrinë e Integrimeve hapën panairin “Rruga për në BE”. Ambasadorë të shteteve të ndryshme të BE-së erdhën në qendër të Prishtinës.

Ambasadori francez në Kosovë, Fitou, i cili ishte në disponim të mirë, tha se Kosova ka bërë shumë punë për integrimin europian, por duhet ende.
            
“Gjëja më e rëndësishme për Kosovën është që t’u përgjigjet pyetjeve të duhura, që të bëhen reforma në disa pjesë të legjislativit, dhe që ta reformojë burokracinë. E di që është e ngadalshme, e di që është shumë e nevojshme për popullin e Kosovës, dhe e di që njerëzit këtu presin për liberalizim të vizave, por ky është Bashkimi Europian. Është një çështje serioze, është e gjatë, kërkon angazhim dhe i ka frytet e veta”, tha Jean Fraçois Fitou, Ambasador i Francës në Kosovë.

Në “Ditën e Europës” Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend që rrethohet nga shtetet tjera, qytetarët e të cilave lëvizin pa viza nëpër Europë.

Deri më tani 5 shtete të Bashkimit Europian nuk e njohin Kosovën, por kjo organizatë shtetesh është e angazhuar në Kosovë. Madje, që prej disa vitesh në Kosovë ka zbarkuar EULEX-i, mision për sundimin e rendit dhe të ligjit, i cili është neutral në çështjen e statusit politik të Kosovës.

Në një urim dërguar qytetarëve të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi shkruan se është i bindur që Republika e Kosovës do ta festojë 9 majin në një përiudhë të afërt si shtet anëtar i Bashkimit Europian.

“Me përfundimin e Studimit të Fizibilitetit dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit këtë vit Kosova do të arrijë të kalojë nga shteti potencial në shtet kandidat për integrim në BE”, shprehet Thaçi.

Në “Ditën e Europës” përfaqësuesi special i BE-së, Samuel Zhbogar, ka shprehur besimin se qytetarët e Kosovës së shpejti do të gëzojnë heqjen e vizave, dhe se nuk duhet bërë presion tek 5 shtetet e BE-së që ta njohin Kosovën, por se duhet një modul i përbashkët brenda BE-së që do ta përfshinte edhe Kosovën dhe 5-shen e shteteve që nuk e kanë njohur në dialogun për liberalizim të vizave.  

Top Channel