Akuza terrorizmi, rikthehet tensioni Rusi-Gjeorgji

10/05/2012 16:25

Forcat Ruse të Sigurisë lajmëruan se kanë zbuluar dhe shkatërruar një rrjet terrorist që planifikonte të godiste Lojrat Olimpike Dimërore, që do të zhvillohen në lokalitetin rus të Sohit, pranë Detit të Zi, në vitin 2014.

Komiteti Kombëtar Anti-Terrorizëm deklaroi se midis armëve të sekuestruara janë edhe raketa anti-ajrore, mortaja, granatahedhës, flakëhedhës, eksplozivë dhe armë të tjera të kalibrit të rëndë.

Plani ishte orkestruar nga lideri rebel çeçen, Doku Umarov, ndërsa Shërbimet Sekrete të Gjeorgjisë akuzohen gjithashtu si bashkëpunëtore.

Deklarata, e cila rikthen tensionin midis Rusisë dhe ish-Republikës Sovjetike vjen në një moment delikat të marrëdhënieve midis dy vendeve, ndërsa lufta e shkurtër e vitit 2008 është ende e freskët në kujtesë dhe konflikti për rajonin e Abkazisë nuk ka rreshtur kurrë mes Moskës dhe Tbilisit zyrtar.

Shefi i stafit të Ministrisë së Brendshme Gjeorgjiane, Shota Khizanishvili, deklaroi se akuza të tilla të paargumentuara drejtuar vendit të tij janë në shkelje të plotë me parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare. “Gjeorgjia po përfshihet në këtë çështje pa asnjë bazë apo provë dhe kjo është shenjë e paranoje të thellë”, deklaroi ai për “Associated Press”.

Shërbimi Sekret Rus, FSB (pasardhësi i KGB-së) ishte ai që zbuloi vendndodhjen e armëve dhe organizoi një ndërhyrje në datat 4-5 maj, në krahinën separatiste gjeorgjiane të Abkazisë.

Top Channel