Shok në Angli, 630 minorene të dhunuara

09/05/2012 21:05

Shok në Britaninë e Madhe. Mbi 630 vajza minorene, kryesisht të cënueshme, janë dhunuar sistematikisht në 5 vitet e fundit nga një bandë pedofilësh që i rrëmbente nga shtëpi strehimi për të miturit.

Ngjarja tronditëse është zbardhur në Liverpul, si pasojë e dënimit të 9 meshkujve me origjinë aziatike, por gazeta “Times” shkruan se ngjarja ka përmasa më të mëdha sesa ato të zbuluara gjatë proçesit.

Banda, që përfundoi në burg pasi kishte organizuar trafikimin e minoreneve, përbëhej nga tetë pakistanezë me shtetësi britanike dhe një afgan që ishte në pritje të azilit.

Ata punonin si taksistë ose fatorino dhe janë të moshave nga 22 deri në 59 vjeç. Ata janë dënuar për dhunim, trafik minorenesh dhe pedofili, për një total prej 77 vitesh burg.

Viktimat e tyre, 187 prej të cilave janë dhunuar në 11 muajt e fundit, janë të gjitha vajza të bardha dhe shënjestroheshin nga banda pasi nuk kishin mundësi të mbroheshin.

Shtëpitë e strehimit në Angli mbajnë rreth 1.800 vajza. Në pesë vitet e fundit 631 adoleshente të moshës nga 12 në 17 vjeç janë “shitur” për akte seksuale, bën të ditur “Times”, që shton se dy prej tyre, të besuara instituteve në Mançester dhe Roçdejl kanë vdekur si pasojë e dhunimit.

Dy të tjera kanë mbetur shtatëzënë, njëra prej të cilave 13 vjeç, që është detyruar të abortojë. Ndërkohë në gjyq kanë dalë në dritë detaje të tjera të tmerrshme. Një nga vajzat e shtëpisë në Roçdejl është dhunuar nga 25 burra në një natë të vetme.

Top Channel