Thirrjet për protesta që po bëhen përmes rrjeteve sociale në Maqedoni kanë tërhequr vëmendjen e opinionit të brendshëm.

Në rrjetin social facebook, për ditën e premte janë paralajmëruar protesta në të gjitha qytetet e Maqedonisë të banuara me shqiptarë, kundër aksionit të fundit policor dhe rasteve të montuara.

Nga ana tjetër thirrje për protestë në Facebook kanë bërë edhe maqedonasit. Ata paralajmërojnë mbajtjen e një demonstrate kundër shqiptarëve të shtunën, para godinës së qeverisë në Shkup.

Presidenti Gjorgje Ivanov, duke komentuar këto paralajmërime, ka thënë se protesta është e drejtë demokratike e çdo individi, por ka bërë thirrje që protestat të jenë të qeta dhe pa provokime.

”Ne kemi njohuri për protestat dhe kjo është e drejtë demokratike. Kushdo mund të reagojë, megjithatë ka çështje për të cilat janë kompetente gjykatat. Kur kemi të bëjmë me një vrasje makabre duhet të lejojmë që gjykata të sjellë vendime, në përputhje me ligjet. Apeli im është, që kushdo le ta shprehë qëndrimin e tij, por për çështje që janë në interes të vendit tonë duhet të tregojmë seriozitet”, deklaroi Ivanov.

Ndërkohë, analisiti Kim Mehmeti thotë se shqiptarët e Maqedonisë janë të detyruar të kërkojnë drejtësinë nëpër rrugë. Sipas tij, shqiptarët po vetëorganizohen në protesta pasi kanë humbur besimin në isntitucionet e vendit, por edhe tek përfaqësuesit e tyre politikë.

“Rinia shqiptare po vetëorganizohet ngaqë ajo prej kohësh e ka humbur besimin në institucionet e shtetit dhe tek partitë shqiptare në Maqedoni. Rinia shqiptare e ka kuptuar se ky shtet herë të shpall shovinist shqiptar, herë fundamentalist islamik, varësisht nga nevoja. Unë besoj se rinia shqitpare e ka kuptuar edhe atë se asaj nuk i është rrezikuar besimi fetar, por shqiptaria. Ndaj edhe revoltën e vet duhet ta drejtojë në këtë kah”, vlerëson Mehmeti.

Ndërkohë, ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, bëri të ditur se policia është duke ndjekur thirrjet për protesta në rrjetet sociale. Ajo tha se policia nuk do të lejojë që të prishet rendi publik, pavarësisht se cilit entitet apo besimi fetar i përkasin protestuesit.

Top Channel