Policia kroate në bashkëpunim me homologët e vendeve të BE-së ka shkatërruar një organizatë kriminale kroate, e cila trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale në një konferencë për shtyp, ku kanë njoftuar se në pranga kanë rënë nëntë shtetas kroatë dhe janë sekuestruar 174 kg kokainë.

Të njëjtat burime kanë saktësuar se lënda narkotike, me vlerë rreth tetë milionë euro, është sekuestruar në një jaht kroat që ishte ndalur në ishullin francez të Martinikut.

Droga importohej nga Kolumbia dhe për transportin e saj kanë ndihmuar edhe një shtetas kolumbian e një serb, kanë nënvizuar burimet policore, të cituara nga agjencia e lajmeve “Hina”.

Për shkatërrimin e këtij grupi kriminal policia kroate kishte kërkuar ndihmën e policive të Francës, Holandës, Italisë, Republikës Domenikane dhe Shteteve të Bashkuara.

Top Channel