Shefi i qeverisë britanike, David Cameron ka deklaruar se Greqia është në një pozitë shumë të vështirë dhe ka lënë fuqishëm të kuptohet se Athina duhet të dalë nga euro dhe t’i kthehet dhrahmisë.

Kjo do t’i jepte mundësinë vendit të pakësonte normat e interesit dhe të zhvlerësonte monedhën kombëtare. Këto vende duhet të kenë të drejtën e përzgjedhjes, thotë kryeministri Cameron në një intervistë për shtypin vendas.

“Ne përzgjodhëm të qëndrojmë jashtë euros. Ne duam që vendet evropiane të zgjidhin problemet e tyre. Ne duam të jemi në tregun e vetëm dhe duam bashkëpunimin evropian, por nuk duam të jemi në euro”, ka thënë Cameron.

Kriza politike në Greqi pas zgjedhjeve ka shtuar retë e zeza mbi ekonominë evropiane dhe monedhën e saj në krizë euro-n. Ky është paralajmërimi më i fortë që kryeministri britanik ka bërë deri tani për falimentimin e euros, ndërkohë që shtohet frikshëm mundësia e daljes së Greqisë nga euro.

Duke hedhur poshtë pretendimet e presidentit të ri francez Francois Hollande se Britania është indiferente ndaj fatit të eurozonës, Cameron thekson se është esenciale për ekonominë britanike që kontinenti të dalë nga reçesioni.

Kjo pasi, sipas tij, 40 për qind e eksporteve britanike shkojnë në kontinent dhe është vitale për Britaninë që këto ekonomi t’i rikthehen rritjes ekonomike. Londra zyrtare prej kohësh është shprehur spektike për mbijetesën e euros.

E nëse udhëheqësit evropianë do të kenë mjetet e mjaftueshme financiare në dispozicion për të shmangur, jo vetëm sa herë rishfaqen simptomat e sëmundjes së euros, por edhe falimentimin eventual të monedhës evropiane dhe efektin domino të saj, kjo do të provojë drejtësinë ose jo të parashikimit britanik, të cilët duke mos u futur fare në Eurozonë, ndihen sot relativisht më të imunizuar nga kriza.

Top Channel