Përvec shqetësimit me të cilin ndjek Brukseli boshllëkun politik dhe pamundësinë e krijimit të një qeverie në vendin më problematik të BE, Greqisë, zyrtarë të Komisionit Europian kanë kritikuar ashpër hyrjen në parlamentin grek të partisë neonaziste Chrisi Avgji.

I pyetur nga gazetarët Manuel Barozo ka deklaruar se KE do të jetë tepër vigjelent ndaj hyrjes së kësaj partie neonaziste në Parlament dhe se do të përdorë mekanizmat e duhura ndaj atyre që shkelin të drjetat njerëzore.

“Ne duhet të përcaktojmë se çfarë është një parti neo-naziste. Kjo mund të bëhet vetëm në nivel kombëtar duke pare legjislacionin e këtij shteti”, deklaroi Manuel Baroso, President i KE-së.        

Nga ana e tij komisioneri për zgjerimin Stefan Fule ka deklaruar se një parti e tillë nuk duhet të jetë pjesë e një qeverie të re në Athinë.

Ndërkohë Unionet e gazetarëve në Greqi kanë dënuar rreptë sjelljen e anëtarëve të kësaj partie ndaj gazetarëve para hyrjes në sallën e konferencës së shtypit të kryetarit të tyre.

 “Cohuni! Të gjithë në këmbë, në këmbë. Në shenjë respekti. Kush nuk do të ngrihet në këmbë të dalë jashtë”, iu drejtua gazetarëve, Georgeos Germenis, deputet i Chrisi Avgji.

“Kështu perceptohet demokracia për Chrisi Angji”, vë në dukje deklarata e unionit, e publikuar vetëm disa orë pasi një gazetare greke është kërcënuar me vdekje, pas botimit të një artikulli që flet për anëtarët e saj.

“Askush s’ka pse të më ketë frike mua, nëse është një qytetar i mirë. Për cdokënd që është tradhëtar, as që bëhem merak nëse ka frike apo jo” tha Nikolaos Mihaloliakos, Lideri i Chrisi Avgji.

440 mijë grekë kanë dhënë votën e tyre ndaj kësaj partie, shumica pa njohur se cfarë fshihet pas saj. Vota të shumta neonazistët kanë marrë nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë, por ajo që nuk gjen shpjegim ende në mediat greke që po i bien këmbanave të alarmit, është përqindja e lartë që ka siguruar edhe në fshatrat që janë djegur dhe masakruar në Luftën e Dytë Botërore.

Në Athinë është regjistruar përsëri orët e fundit një sulm ndaj katër emigrantëve të huaj, ndërsa anëtarët e kësaj partie trumbetojnë me të madhe spastrimin e vendit nga rreth 1 milion emigrantë të huaj dhe vendosjen e minave në kufijtë tokësorë me fqinjët.

Në programin e saj në faqen zyrtare kjo parti shpreh qartë edhe synimin për “çlirimin” e Epirit të Veriut.

Top Channel