
Atletico Madrid është fituesi i Europa League, i dyti ky për klubin spanjoll në këto 3 vitet e fundit. Madrilenët e Simeone mundën në finalen e Bukureshtit 3-0 Athletic Bilbao e “Loco” Bielsës.
Radamel Falcao ka qenë dhe protagonisti i ndeshjes finale, gjithashtu dhe golashënuesi më i mirë i këtij sezoni në Europa League. Bomberi kolumbian, blerja e të cili i kushtoi klubit madrilen 45 milionë euro, ishte autori i një dopiete në pjesën e parë.
Baskët e Bielsa janë shumë të ngathët për të reaguar. Edhe pse dominon lojën, Bilbao nuk arrin të jetë po kaq superiore në sulm. Në momentin kur pritej goli i tyre Falcao shënoi një tjetër gol spektakolar.
Bilbao dominon edhe në pjesën e dytë, por mbrojtja madrilene është e pakalueshme. Edhe pse patën 4 sulmues në fushë në pjesën e dytë skuadra baske nuk arriti të ndryshojë rezultatin. Goli i nokautit u shënua në fund nga Diego.
Pas fitores së kupës UEFA me Interin si lojtar, Diego Simeone mund të festojë të parin trofe europian në karrierën e tij të re si trajner.
Top Channel