Vrasja e dyfishtë në Tropojë

08/05/2012 00:00

Tropoja nuk do të jetë më si më parë. Duke u gdhirë e enjta familja Dollapi përjetoi një tragjedi e me të edhe tre fise të tjera.

Skena e denjë për Shekspirin ndodhi një banesë tejet modeste në lagjen “Partizani” në qytetin e Bajram Currit. Gjeologu Eduart Dollapi nga fshati Kucanaj, më pak se 3 kilometra nga qyteti, ishte shpërngulur këtu me bashkëshorten Manjola prej më pak se 1 viti.

Ai punonte në një minierë rreth 40 kilometra larg nga shtëpia. Komshinjtë e çiftit të martuar prej më pak se 5 vitesh nuk kishin vërejtur shenja problemesh apo konfliktesh në çift. Ata kanë një djalë të vogël që ende nuk është në moshë shkollore.

Jashtë kamerave të gjithë shprehen të tronditur. Sipas burimeve tona të konfirmuara, natën e 2 majit duke u gdhirë data 3 Manjola ka telefonuar bashkëshortin. Në polici ajo pretendon se ai i tha që do të kthehej në shtëpi, por kolegët e minierës, të paktën 4 persona që kanë qenë prezent gjatë telefonatës së orës 21 e 30 pretendojnë se ai ka lajmëruar që nuk do të kthehej as atë natë. Dy orë më pas një makineri ka dalë jashtë funksionit dhe gjeologu është nisur drejt shtëpisë!

Ai ka mbërritur rreth mesnatës, dritat e shtëpisë kanë qenë të ndezuara. Sipas një komshiu që banon pranë, viktima ka shkallmuar derën edhe pse ajo është prej hekuri.

Ai ka gjetur në banesë Kaçanik Gjuricin. Ky i fundit pasi ka marrë një thikë është nisur drejt tualetit me shpresën për t’u larguar pasi dritaret e tjera të banesës ishin me kangjella.

Gjatë kohës që Eduart Dollapi është përleshur me personin që gjeti në shtëpi, Manjola Dollapi ka shkuar në dhomën e gjumit dhe nga poshtë krevatit ka nxjerrë automatikun kallashnikov, ka hequr siguresën, ka mbushur armën dhe më pas e ka shkrehur.
 
Në polici, kur u arrestua 5 orë pas ngjarjes, ajo tha se bashkëshorti erdhi duke u përleshur me viktimën tjetër, por dy filxhanet e kafesë të gjendur nga policia e rrëzojnë këtë version të të dyshuarës për vrasjen e dyfishtë që ka tronditur veriun dhe gjithë Shqipërinë.

Gjatë seancës së ditës së dielë në Gjykatën e Bajram Currit ajo ka thënë vetëm një fjalë: Mëshirë.

Gruaja vrau me 8 plumba bashkëshortin e saj dhe me 6 të tjerë personin me të cilin dyshohet se kishte lidhje jashtëmartesore. Askush nuk e di se çfarë ka menduar në ato momente Manjola Dollapi. Zëra dolën në shtyp se ajo ka tentuar vetëvrasjen, por nuk kanë qenë të vërteta. Që prej ditës së arrestit ajo nuk ka konsumuar asgjë, përjashto qumështin dhe qetësuesit. Ajo është braktisur nga familja e saj, askush nuk i ka çuar ushqime apo ndërresa dhe rrobat ajo i ka pasur edhe natën e ngjarjes. Tre fise janë në një vorbull konflikti që vështirë se do të zgjidhej edhe me gjakun e vetë personit që shkrepi armën.

Fjala e fundit për drejtësinë.

Top Channel