Kina blen naftë nga Irani

08/05/2012 00:00

Kina po blen naftë të papërpunuar nga Irani duke përdorur valutën e saj jenin, ka bërë të ditur një diplomat iranian.

Transaksionet e naftës zakonisht bëhen në dollarë, por sanksionet e Shteteve të Bashkuara e kanë bërë të vështirë për Iranin që të pranojë pagesa në valutë amerikane.

Irani po përdor të ardhurat për të blerë mallra dhe shërbime nga Kina, ka konfirmuar ambasadori iranian në Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohammed Reza Fayyad.

Kina është blerësi më i madh i naftës së papërpunuar iraniane. SHBA i kanë bërë presion Pekinit që t’i bashkohet bojkotit ndërkombëtar për shkak të programit bërthamor të Teheranit.

Komentet e ambasadorit iranian, të cituara nga agjencia e lajmeve “Reuters”, konfirmuan një raportim të mëparshëm të “Financial Times” se kompania kineze UNIPEC po blinte naftën përmes një njësie valutore tregtare të quajtur Zhuhai Zhenrong.

Ndërkohë, Kina është përpjekur të promovojë përdorimin e Jenit si një valutë ndërkombëtare, duke sfiduar dollarin amerikan, përfshirë në qendrën tregtare “offshore” në Londër, baza e së cilës është në Hong Kong.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara planifikojnë të implementojnë një raund sanksionesh, duke filluar më 28 qershor, kundër bankave me bazë në vendet që nuk ndërpresin importin e naftës nga Irani.

Top Channel