Jetmir Shpuza – “Partia Socialiste ishte një mollë e kalbur që unë e
ndava përgjysmë”. Kjo thënie në formë shakaje që i atribuohet në
tavolina Berishës si autor i saj, duket të ketë një fije të vërtete
brenda, tek vështron me vëmendje historinë politike të 10 vjetëve të
fundit. Jo se Berisha e ka thënë vërtet një gjë të tillë.
Por për fatin e forcës së majtë kryesore politike, qëkur brenda saj hynë konfliktet e brendshme. Dualitetet apo konfliktet mes liderëve të së majtës, në fillim brenda një partie e më pas të ndarë në dy parti të ndryshme (molla e kalbur e ndarë më dysh) qenë përcaktuese për ta nxjerrë si fillim në opozitë e pastaj për ta mbajtur atje, me apo pa të drejtë, kushedi deri kur.
Në mandatin e dytë qeverisës, Partia Socialiste u përfshi në një debat që mori përmasa të mëdha, po që kryesisht përqendrohej mes dy liderëve: Fatos Nanos dhe Ilir Metës. Ndonëse Nano triumfoi në Kongresin e dhjetorit 2003 duke e nxjerrë Metën me gjithë përkrahësit e tij nga të gjitha strukturat drejtuese të PS-së, ky lloj “triumfi” nuk vlejti për palën fituese, pasi qe parathënie e humbjes së madhe të Partisë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme të 2005-s. Ilir Meta arriti të qëndrojë me kokëfortësi, duke themeluar partinë e vet dhe duke përçarë elektoratin e majtë (a nuk u nda molla më dysh?).
Po humbja e zgjedhjeve të 2005-s solli ndryshime në drejtimin e Partisë Socialiste, ashtu siç solli edhe lindjen e një konflikti të ri, atë mes ish-kryetarit Fatos Nano dhe kryetarit të sapozgjedhur Edi Rama. Lëvizjet e filluara e të lëna përgjysmë nga Nano gjeneruan dhe ndasi mes anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj force të madhe politike. Në terren lufta bëhej më e ashpër, pasi provinca e ka më të ndjeshme tendencën përjashtuese, eliminuese. Kujdes me ata të Nanos… Në këtë mënyrë, pavarësisht përmasave, elektorati i majtë po e ndjente përçarjen.
Shtoji kësaj edhe konfliktin e rinisur mes PS-së dhe LSI-së pas vitit 2007 dhe hyrja e tyre të ndarë në zgjedhjet e vitit 2009, plus koalicionin në vazhdim të LSI me Partinë Demokratike… Konfliktet mes 3 liderëve, Nano-Meta, Rama-Nano, Rama-Meta përcaktuan këtë situatë kontradiktore për forcën politike të së majtës, Partinë Socialiste: ndërsa ajo merr një numër jo të vogël votash më tepër se rivalja e saj, Partia Demokratike, por vazhdon të rrijë në opozitë, qoftë nga përçarja me LSI-në, qoftë nga përçarjet e brendshme që demotivojnë një pjesë të elektoratit të saj.
Po të kishte mundësi të dilte një lider i katërt, që ta bashkonte të majtën dhe ta largonte nga ndasitë e 3 të mësipërmve, të sillte një frymë që të besohej masivisht nga elektorati, ndoshta do të ishte mënyra më e mirë për të filluar një erë të re për të majtën politike shqiptare. Po një i tillë nuk duket në horizont dhe as ka gjasa të shfaqet shpejt. Duam apo nuk duam, Rama, Nano, Meta janë tre njerëzit më të fuqishëm që ka prodhuar e majta, që kanë mbështetësit e tyre (pavarësisht më pak njëri e më shumë tjetri) dhe që vazhdimi i konflikteve mes tyre do të vazhdojë ta mbajë të përçarë elektoratin e majtë. Hë për hë, një bashkëveprim, unitet apo koordinim, aleancë mes të treve mund të sjellë edhe një bashkëveprim dhe rritje të elektoratit në favor të së majtës.
Shfaqja jo e papritur e Nanos në momentin që afrohet zgjedhja e Presidentit të Republikës gjithsesi sjell risi dhe shkundje për skenën politike shqiptare të mbërthyer në ngërçe pa rrugëzgjidhje. Duke qenë kandidat i vetëshpallur, natyrisht ai mbështetjen kryesore e kërkon te forca e vet politike, te grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke e shprehur publikisht këtë pretendim. Takimet e tij në selinë e Partisë Socialiste me drejtuesit e saj, Ramën, Ruçin, zgjojnë vëmendjen publike në maksimum, sidomos nga aktivistë të Partisë Socialiste dhe tek elektorati i saj, të cilët shohin me vëmendje edhe nuancat e një shtrëngimi dore.
Kandidatura e Nanos shërben edhe si një pikë komunikimi mes PS-së dhe LSI-së, duke u parë edhe si një shpresë bashkimi në horizont. Dhe për më tepër, figura e Nanos arrin të marrë mbështetjen e njëhershme të dy forcave politike disi të ndryshme dhe jo pa divergjenca mes tyre, si PDIU dhe PBDNJ, të cilat u shprehën qartazi se ishin për Nanon president. Lëvizjet e Nanos mund të sigurojnë aleatë të rinj për PS-në në zgjedhjet e afërta parlamentare. Sipas llogarive matematike, një mbështetje e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim plus 3 votat tashmë të deklaruara të PDIU-së dhe PBDNJ-së e nxjerr Nanon president në votimin e katërt ku mjaftojnë 71 vota, ndonëse ai vetë po kërkon një proces konsensual. Dhe ky bashkim vote i dy forcave politike të majta mund të jetë premisa për një konfigurim të ri politik, për një ribashkim të së majtës rreth këtyre tri figurave që qenë edhe protagonistët e përçarjes së saj (Nanos, Ramës dhe Metës), duke sjellë njëkohësisht edhe ribashkim dhe çlirim energjish të elektoratit të majtë, të zhgënjyer nga lufta e brendshme përçarëse që e la Berishën në pushtet me historinë e mollës së ndarë më dysh.
Top Channel