Izrael, Netanyahu pakt me opozitën

08/05/2012 00:00

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë së re, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme, njoftojnë autoritetet.

Ato thonë se, me një lëvizje surprizë, partia Likud e Netanyahut do të bashkohet me partinë e opozitës Kadima.

Lëvizja vjen kur Parlamenti izraelit, ose Kneset, siç njihet ndryshe, debatoi shkrirjen e tij përpara zgjedhjeve të planifikuara nga kryeministri për në shtator.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” citoi zyrën e presidentit Shimon Peres që thoshte se ai ishte informuar për marrëveshjen e koalicionit.

Sipas mediave lokale, Kadima do të mbështesë zotin Netanyahu në këmbim të ndryshimit të së ashtuquajturit Ligji Tal, që u lejon studentëve të seminarëve ultra-ortodokse që të shtyjnë rekrutimin në ushtri. Ligji në fjalë u shpall jokushtetues nga Gjykata Supreme në muajin shkurt.

Anti-laicistët thonë se Ligji Tal nuk është i drejtë, por partitë e vogla fetare, që janë jetike për koalicionin e zotit Netanyahu, dëshirojnë që të rinjve ultra-ortodoksë t’u lejohet të zgjedhin për të vijuar studimet fetare, apo shërbimin ushtarak.

Marrëveshja e njoftuar parashikon gjithashtu se lideri i Kadimës, Shaul Mofaz do të bëhet zëvendëskryeministër. Administrata e djathtë e zotit Netanyahu është programuar të qëndrojë në pushtet deri në tetor të vitit 2013.

Top Channel