Një grup të rinjsh të forumit Eurosocialist në Tiranë, janë përfshirë në një incident me policinë në mbrëmjen e së martës, ndërsa ndodheshin në një lagje të Kryeqytetit.
Shkak i incidentit ka qenë një gjobë që policia i ka vënë makinës së të rinjve, që sipas policisë ishte parkuar gabim në rrugë. Por të rinjtë që kanë reaguar ndaj policisë, thane se gjobitja ishte e qëllimshme, dhe lidhej me faktin se ata po bënin një fushtë për anëtarësimet e reja në FRESSH.
Më pas debatet kanë marrë tone nervoze dhe policia ka shoqëruar disa prej tyre në komisariat. Ndërsa një vajzë pretendon se një prej policëve ka nxjerrë edhe pistoletën.
“Krejt papritur u shfaq një makinë e policisë, filluan të debatonin për furgonin dhe më pas filluan të ofendonin dhe shoqëruan disa nga djemtë tanë. Në momentin që ne nuk i lamë, sepse ishte asbolutisht jo normale, sepse nuk kishin bërë asgjë, ata na ofendaun duke na sharë “komunistë” një nga oficerët e policisë nxorri edhe armën duke na kërcënuar dhe terrorizuar ne të rinjtë që ishim pjesë e cadrës”, tha Valbona Rexhepi, FRESSH-Tiranë.
Deputetja socialiste Vasilika Hysi e ka cilësuar të denueshme sjelljen e policisë.
“Është turp që sot në shekullin e 21–të, policia ndalon studentë aktivistë pa bërë asgjë. I kërkoj sot Minstrit të Brendshëm z. Bujar Nishani dhe Drejtorit të Policisë z.Hysni Burgaj, të dalin dhe të distancohen nga veprime të tilla të dhunshme në një shesh kaq të populluar kur ne po bëjmë thjesht rregjistrim qytetarësh. Kërkojmë të hetohen të gjithë oficerët e policisë që kanë marë pjesë sot në aksion nga SHKB-ja apo rrugë penale”, tha deputetja e PS, Vasilika Hysi.
Grupi i të rinjve është mbledhur më pas tek komisariati numër 2 derisa gjashtë shokët e tyre u liruan.
Të kontaktuar nga Top-Channel, drejtues të policisë së Tiranës thanë se veprimi i policisë ka qenë i ligjshëm pasi të rinjtë kishin parkuar gabim makinën në rrugë dhe ata reaguan në mënyrë të dhunshme ndaj policisë për këtë veprim, duke dashur ta politizojnë.
Top Channel