Francë, presidenti beqar

08/05/2012 00:00

Nga një ish-supermodele e famshme për festat me yjet e rock-ut tek një grua e divorcuar dy herë, votuesit francezë do të shohin më shumë sesa thjesht ndryshime politikash ekonomike në vend.

Valerie Trierweiler, partnerja 47-vjeçare e Francois Hollande, do të jetë e para “premiere dame” në histori që hyn e pamartuar në pallatin Elize përkrah njeriut më të fuqishëm të kombit. Gazetarja politike u shfaq në publik si e dashura e Hollande kur ai u nda me nënën e 4 fëmijëve të tij, politikanen Segolene Royal me të cilën kishte bashkëjetuar prej 30 vjetësh.

Por mendohet se lidhja e tyre kishte nisur që përpara duke u bërë kësisoj shkak për dramën e Segolene. Valerie shumë e njohin me nofkën “rottweiler”, të fituar me kundërpërgjigjen flakë për flakë dhënë kolegëve të Paris Match, kur e nxorrën në faqe të parë me titullin “aseti i hirshëm i Francois Hollande”. “Bravo Paris Match për seksizmin”, qe reagimi i rrufeshëm i saj në Twitter. “Mendimet e mia tani shkojnë për të gjitha gratë e zemëruara aty jashtë…”

Pavarësisht reputacionit që e paraprin, 47-vjeçarja e ka bërë të qartë se synon të mbajë një profil shumë më të ulët se paraardhësja Carla Bruni. “Do të qëndroj mes shoqëruesve”, pati deklaruar ajo në një intervistë parazgjedhore.

“Do ta shmang protokollin. Nuk është se e kam pasur ndonjëherë ëndërr të jem zonja e parë. Ajo që më frikëson është humbja e lirisë”, shtonte Valerie.

Në fakt, të zërë vendin e një supermodeleje nuk duhet të jetë ndonjë problem i madh për Valerie, edhe vetë plot sharm. Cështja është si do të prezantohet në vizitat jashtë kufijve zonja e parë e pamartuar e Francës. Ka disa spekullime se Trierweiler dhe Hollande mund të lidhin kurorë përpara se ai të marrë çelësat e Elizesë në 15 maj. Nëse nuk e bën, disa vende mike mund të gjenden përballë sikletit të protokollit, se si ta presin një president beqar me një grua në krah të tij.

47-vjeçarja duket e bindur se do të arrijë t’i shpëtojë kurthit të famës dhe betohet ta vazhdojë karrierën e saj si gazetare duke u shndërruar kështu në të parën “premiere dame” që punon në të gjithë historinë e Francës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA