
Atletiko Madrid ka mbërritur në Bukuresht për të përgatitur finalen e Europa League kundër Atletik Bilbaos. Për skuadrën madrilene kjo është hera e dytë që arrin në finalen në 3 vitet e fundit dhe synimi i saj është që të fitojë edhe këtë radhë.
Trajneri i Atletiko Madrid, Diego Simeone ka grumbulluar të gjithë futbollistët e ekipit të parë, si dhe të riun Pedro Martín nga Atletiko Madrid B. Në listën e argjentinasit janë përfshirë edhe Perea, Antonio Lopez dhe Silvio. Nuk mungojnë as Tiago e Fran Mèrida edhe pse ata nuk do të luajnë në finale pasi janë të pezulluar.
Protagonisti kryesor për Atletiko Madrid edhe këtë radhë pritet të jetë sulmuesi Radamel Falkao. Kolumbiani, i cili mban rekordin e golave të shënuar në Europa Ligë, kërkon të fitojë këtë trofe me cdo kusht pasi sipas tij do të ishte shpërblimi më i mirë për punën e bërë.
‘Objektivi ynë për këtë sezon ishte fitorja në Europa Ligë. Jemi në finale dhe tani kemi detyrën për të ngritur trofeun dhe të festojmë me tifozët tanë. Ishte një sezon i vështirë dhe kaluam shumë momente të komplikuara. Jemi krenarë për atë që arritëm’, thotë Falkao.
Atletik Bilbao dhe Atletik Madrid takohen të mërkurën për të diskutuar finalen e madhe të Ligës së Europës.
Top Channel