Rastësisht hero. Aktori hollivudian, Dustin Hoffman i shpëtoi jetën një të riu në Londër, teksa këtij të fundit i ra të fikët kur kishte dalë për vrap. Aktori njoftoi ambulancën dhe qendroi në krah të tij deri në momentin e mbërritjes së ndihmës së shpejtë.
Nuk kemi të bëjmë me një film ku aktori 74-vjecar është protagonist, por me një ngjarje të vërtetë të ndodhur në parkun Kensington në Londër. Hoffman ishte duke shëtitur, në kohën kur një i ri u plas në shesh pa ndjenja.
74-vjecari ruajti qetësinë dhe njoftoi ambulancën. Kur mbërritën mjekët pas 15 minutash, ai ishte ende aty, duke i mbajtur kokën lart të riut.
E gjithë ngjarja të kujton filmin komedi të vitit 1992, “Rastësisht hero” i regjisorit Stephen Frears, ku Hoffman interpreton rolin e arrogantit dhe “heroit komik” Bernie Laplante, që pasi shpëton ekuipazhin e një avioni të ulur në autostradë, nxiton tek gazetarët dhe vetëpagëzohet “ëngjëlli i fluturimit 104”.
Por këtë herë, në jetën reale, Hoffman, përkundër karakterit të personazhit të luajtur në filmin e 1992-it, nuk u vu në kërkim të famës, përkundrazi, e mbajti atë të fshehtë disa ditë. Ishte vetë personi i shpëtuar prej tij, Sam Dempster ai që ka treguar për mediat britanike “heroin e tij”.
Top Channel