At Zef Valentini, një figurë shumëdimensionale me kontribut të çmuar për Shqipërinë, albanologu i cili me veprën e tij është i pazëvendësueshëm, personalitet me kontribut në fushën e përkthimeve dhe historisë u dekorua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pas vdekjes.
Duke çmuar nismën e një grupi intelektualësh në vend për të dekoruar këtë personalitet, presidenti Topi e vlerësoi veprën e Valentinit pasuri kombëtare.
I dërguari i provincialit jezuit nga Roma, At Gianpaolo Salvini, ishte i pranishëm në këtë ceremoni për të tërhequr urdhrin që nderoi Valentinin.
“At Valentini ishte mbi të gjitha një ndërtues urash komunikimi midis dy kulturave, italiane dhe asaj shqiptare. Një mision ky shumë i vështirë sepse armët e tij të vetme ishin besimi dhe formimi i tij, por megjithatë ia doli të ndërtonte lidhje mes dy popujve që jetonin në realitete të ndryshme e me kultura të ndryshme”, u shpreh At Salvini.
Botuesi i veprës së tij në shqip, Ndriçim Kulla, flet për 20 veprat e këtij personaliteti që tanimë janë botuar dhe 50 të tjera që do të shohin dritën e botimit.
“E shikoj si një rizgjim të mençur të një personaliteti me famë ndërkombëtare. Unë këtë e konsideroj projektin më të madh kulturor në raport me botimet e tjera”, theksoi Kulla.
Në ceremoninë e dekorimit të At Zef Valentinit në mjediset e Presidencës mori pjesë ambasadori i Selisë së Shenjtë, Imzot Ramiro Moliner Ingles si edhe përfaqësues të bashkësisë katolike, albanologë, historianë dhe studiues.
Top Channel