Betohet “Cari” i ri i Rusisë

08/05/2012 02:00

“Betohem se do të përmbush detyrimet e Presidentit të Federatës Ruse, për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Siguria dhe mirëqenia e popullit tonë kanë qenë dhe do të jenë gjithcka për mua. Do të bëj cfarë mundem për të justifikuar besimin e miliona qytetarëve. Konsideroj se është domethënia e gjithë jetës dhe detyrimit tim për t’i shërbyer atdheut dhe popullit tonë”, deklaroi teksa betohej si President i Rusisë, Valdimir Putin.

Këto nuk kanë qënë muaj të qetë për Vladimir Putin, pas zgjedhjes si President, të cilën e përjetoi plot emocion.
                  
Mbi të gjitha zgjedhjet u shënuan nga akuzat për vjedhje të votës, nga protesta masive në rrugët e Moskës duke turbulluar imazhin e tij të “babait të kombit”.

Kremlini i shndërruar ne shtëpine e dytë për  59 vjecarin, këtë herë do të rrethohet nga pasiguri e ndoshta probleme serioze.

Andrei Jakovlev, zv/rekoktori i Shkollës Ekonomike të Moskës flet për mungesën e punëtorëve të kualifikuar dhe të zotë, për popullsinë që plaket, për probleme në sistemin e pensioneve dhe infrastrukturën.

Sipas tij, për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit është e nevojshme të garantosh rritje të lartë ekonomike dhe në këtë mënyrë qeveria garanton kushte më të mira per te bere biznes. Por kjo nuk mund të arrihet pa masa konkrete, të cilat do t’i vënë fre korrupsionit.

Javën e kaluar e pamë në Paradën e 1 Majit, i rrethuar nga fansat si një president superpopullor. Por Putini nuk është i njëjti për Moskën dhe kjo mund të jetë thembra e akilit për të.

Ekspertët thonë se Putini dhe shpura e tij kanë humbur qytetarët, intelektualët moskovitë. Si mund të qëndrojë ai në Kremlin, i rrethuar nga një qytet armiqësor?

Nga historia e Rusisë, nëse një car humbte Moskën, ai kish humbur Rusinë. Pra ky i sotmi është kontrasti i Vladimir Putinit të 12 viteve më parë.

Opinionisti i Radios Komersant FM, Stanislav Kucher mendon se  “këtej e tutje do të jetë më e vështirë për Vladimir Putinin. Në mandatin e parë ai ishte i ri, shumë energjik krahasuar me Boris Jelcinin, asokohe cmimet e naftës ishin të larta. Sot, ka tjetër perceptim për të”.

Përballet edhe me problem jo të vogël. Këshilltarët e tij po përleshen mes tyre, për më shumë influencë në zemër të pushtetit. Nga njëra anë janë reformatorë, mendjet demokratike dhe nga ana tjetër konservatorët.

Demokratët besojnë se nëse Vladimir Putini nuk do të nisë reformat, Rusia do të shndërrohet në një Libi apo ndonjë vend tjetër i Lindjes së Mesme, pra me revolucion. Pikërisht për këtë, disa ekspertë thonë se presidenca e tretë e ka zënë në lak Vladimir Putinin.

Top Channel