BE për Francën dhe Greqinë

08/05/2012 01:30

BE përshëndeti zgjedhjen e Presidentit François Hollande. Ndërsa Presidenti i Komisionit, i djathti Barroso, përgëzoi Presidentin e majtë francez, socialdemokrati Martin Shultz, në krye të Parlamentit Europian, deklaroi se fitorja e Hollande shënon erën e ndryshimit në Europë.

Por, vëmendjen kryesore në Bruksel tërhoqën zgjedhjet në Greqi dhe hyrja në parlament e partisë neo-naziste Agimi i Artë.
 
Pia Ahrenkilde Hansen, zëdhënëse e Komisionit Europian:

“Mbajtëm shënim rezultatet e zgjedhjeve në Greqi, dhe i takon tashmë forcave politike greke të punojnë në një frymë përgjegjshmërie për të formuar një qeveri me një shumicë të qëndrueshme dhe Komisioni mbetet i gatshëm të ndihmojë Greqinë me reformat në vazhdim. Demokracia është një fjalë greke prandaj lërjuni grekëve kohën e duhur për të formuar një qeveri.”

Kostas Karkagiannis, korrespondent në Bruksel i të përditshmes greke“Kathimerini”:

“Partia neo-naziste ‘Agimi i Artë’ ia arriti të hyjë në parlament. Po kjo parti, në faqen zyrtare ka kërcënuar një koleg timin në të përditshmen ‘Kathimerini’. A keni ndonjë reagim për këtë?

Pia Ahrenkilde Hansen:

“Në lidhje me pikën e fundit, ju rekomandoj t’i drejtoheni legjislacionit grek pasi çështja që ngrini kërkon zbatimin e ligjeve greke. Ndërsa në lidhje me pyetjen tuaj mbi zgjedhjen e përfaqësuesve të asaj partie, jo, nuk kam asnjë koment për të shtuar, as për këtë parti, dhe për asnjë parti tjetër që është zgjedhur në Greqi pas këtyre zgjedhjeve. Për këtë gjë, nuk kam asnjë koment për të ofruar”.
 
Shmangia e një reagimi konkret mbi veprimet e partisë neo-naziste greke nga ana e Komisionit shkaktoi debat në sallën e konferencave për shtyp në Bruksel, ku gazetarët i përkujtuan institucionit ekzekutiv të Unionit të jetë më i qartë në mbrojtjen e parimeve dhe vlerave kryesore që predikon.

Përgatiti:
Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA