Zgjedhjet në Evropë çorodisin euron

07/05/2012 18:25

Euro ra kundrejt dollarit dhe paundit ditën e hënë, pas rezultateve të zgjedhjeve të fundjavës, që vunë në dyshim masat evropiane anti-krizë.

Partitë pro-planeve në fjalë në Greqi dolën me rezultate të dobta, ndërsa në Francë, Francois Hollande fitoi presidencën, duke premtuar më shumë rritje ekonomike dhe më shumë largim nga masat evropiane.

Kështu, eruo ra në nivelin 1.295 dollarë, më i ulëti që prej janarit, por më vonë u rekuperua duke vajtur në 1.305 dollarë. Gjithashtu, monedha e përbashkët evropiane ra në nivelin më të ulët në tre vitet e fundit ndaj paundit.

Ndërkohë, tregjet kryesore evropiane ranë që herët në mëngjes, para se të merrnin veten. Në Gjermani, Dax ra me mbi 2 për qind, por më vonë pësoi një ngritje modeste prej 0.1 për qind.

Në Paris, CAC u rekuperua në kuotën 1.65 për qind, në Athinë aksionet ranë me 8.3 për qind, ndërsa në Londër tregjet ishin mbyllur për shkak të pushimeve. Ndërkohë që në Nju Jork, Dow Jones u hap nën 0.3 për qind.

Normat e interesit të borxheve të disa qeverive janë rritur gjithashtu, duke treguar hapur rënien e besimit tek investitorët. Humbjet në tregun e bondeve 10-vjeçare të Greqisë janë rritur nga 20 në 22.2 për qind.

Edhe tregjet aziatike pësuan gjithashtu rënie, me Nikkei në Tokio që ra në 2.8 për qind, Kospi i Koresë së Jugut në 1.8% dhe Hang Seng në Hong Kong 2.4 për qind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA