Një votim pak a shumë kontrovers ai i së hënës në Siri, ku rreth 14 milionë qytetarë u thirrën për herë të parë në zgjedhjet pluraliste, pas fundit të monopolit të partisë Baath, që zgjati plot gjysmë shekulli.
Nga njëra anë, partitë e opozitës dhe disidentët në vend që kanë bërë thirrje për bojkot, duke e cilësuar proçesin “një farsë”, pasi zhvilloheshin pas më shumë se një vit luftimesh e represioni që u kanë marrë jetën 10 mijë civilëve.
Nga ana tjetër, televizioni shtetëror dhe agjencia zyrtare e lajmeve “Sana” kanë raportuar për një pjesëmarrje të konsiderueshme dhe mediat qeveritare kanë transmetuar gjatë gjithë ditës pamje “të qendrave zgjedhore të sulmuara nga votuesit”.
“Është një proçes qesharak”, ka qenë komenti i Shtëpisë së Bardhë, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka folur për “një situatë të patolerueshme” në Siri.
Dita elektorale, sipas Damaskut zyrtar, ka kaluar pa incidente, ndërsa sipas aktivistëve, gjatë ditës janë vrarë të paktën 24 persona, shumica e të cilëve civilë, në epiqendra të ndryshme të revoltës.
Qendra e Dokumentimit të Shkeljeve në Siri, që prej një viti furnizon çdo ditë bilance të përditësuara e të detajuara të represionit qeveritar, ka njoftuar se tre nga 24 viktimat janë ushtarë dezertorë, të cilët janë ekzekutuar nga forcat qeveritare në rajone të ndryshme.
Këtyre u shtohen gjashtë viktima, anëtarë të dy familjeve, të vrarë javën e kaluar nga bombardimet, por trupat u janë gjetur vetëm ditën e sotme.
Gazetarë të huaj të akredituar në Siri kanë konstatuar në një qendër moderne votimi në kryeqytet se vetëm tre persona kanë votuar për rreth 40 minuta, ndërsa autoritetet lokale kanë njoftuar për 137 vota.
Top Channel