Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton i ka bërë thirrje Indisë që të reduktojë blerjen e naftës nga Irani, pas sanksioneve që i janë vendosur këtij vendi.
Gjatë një vizite në Kalkuta, Clinton vlerësoi qëndrimin e Indisë se do të punojë për të ulur vartësinë nga nafta iraniane dhe shprehu shpresën e saj se vendi aziatik do të bënte më shumë.
India është përballur me presione të vazhdueshme për të blerë sa më pak naftë iraniane, për shkak të sanksioneve që janë vendosur ndaj Irani për shkak të programit të tij bërthamor, që Teherani thotë se ka qëllime paqësore.
“Arsyeja përse Indisë, Kinës, Japonisë dhe vendeve të tjera, që janë blerësit kryesorë të naftës iraniane, u kërkohet të ulin furnizimet është për të mbajtur nën presion Iranin”, deklaroi zonja Clinton.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë dyshojnë se Irani po e përdor programin e tij për të prodhuar bombë bërthamore. Nga ana e tij, Teherani zyrtar insiston se programi i tij ka vetëm qëllime civile dhe jo ushtarake.
Shtetet e Bashkuara planifikojnë të implementojnë një raund sanksionesh të reja, duke filluar më 28 qershor, ndaj bankave që ndodhen në vendet që nuk ndërpresin importin e naftës nga Irani.
Clinton shtoi se për Indinë ka mundësi të tjera furnizimi me naftë. “Arabia Saudite dhe vende të tjera po nxjerrin më shumë naftë në treg”, shtoi sekretarja e Shtetit.
Top Channel