SHBA, Obama-Romney, kokë më kokë

07/05/2012 18:55

Betejë kokë më kokë mes Barack Obama dhe Mitt Romney, kur mungojnë gjashtë muaj nga zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Sipas sondazhit të fundit të George Washington University, dy kandidatët janë pothuajse barabar, Obama me 48 për qind të votave dhe Romney me 47 për qind.

Prej javësh të tëra mediat amerikane po i kushtojnë vëmendje të veçantë zgjedhjes së ardhshme të Mitt Romney për zëvendësin e tij.

Gjithësesi, sipas sondazhit, vetëm shtatë për qind e të intervistuarve vlerësojnë se ky vendim është “shumë i rëndësishëm” për hapat e mëtejshëm të Romney.

Por ndërkohë, kandidati republikan ka një “kundërshtar” të ri. Charles Barkley, ylli i NBA-së në vitet ’80, i ka mbyllur derën atij.

Ish-lojtari me ngjyrë, sot telekronist, pasi e pa kandidatin në tribunë gjatë ndeshjes Celtics Boston dhe Hawks, ka postuar një mesazh në rrjetin social Twitter:

“Në nëntor do të të biem si një tambur. Mos u mërzit, s’kam asgjë personale. Ti më pëlqen, dukesh një njeri i mirë, por do të humbësh, vëlla”.

Top Channel