Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ka pranuar se armët e zjarrit të konfiskuara gjatë operacionit “Monstër” nuk janë përdorur në masakrën e pesëfishtë në fshatin Smilkovc, pranë Shkupit.

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, e cituar nga agjencia e lajmeve “INA”, ka deklaruar se ekspertiza e kryer mbi armët ka treguar se ato nuk përputhen me provat e gjetura në vendin e ngjarjes.

Megjithatë, ministrja ka nënvizuar se ka prova të mjaftueshme për të akuzuar disa prej personave të arrestuar gjatë operacionit të pak kohëve më parë për terrorizëm.

Por ajo u tregua e rezervuar në komente të mëtejshme, duke thënë se fjala e fundit i takon gjykatës, të cilës nuk i duhet bërë asnjë presion.

“Policia ka në dispozicion dëshmi të ndryshme që janë dorëzuar pranë prokurorisë, por nuk duam të ndërhyjmë në vlerësime që i takojnë gjykatës përgjegjëse”, ka thënë Jankullovska.

Përsa i përket dy personave të kërkuar dhe të konsideruar si autorët kryesorë të masakrës, kryeshefja e policisë maqedonase ka shtuar se për momentin nuk ka informacione mbi ta.

Javën e kaluar, në mungesë provash për veprën penale të terrorizmit, nga paraburgimi u liruan 13 nga 20 personat e arrestuar më 1 maj nga policia maqedonase. 

Kundër arrestimeve në fjalë, por edhe ndaj atyre të shqiptarëve në Preshevë, qindra qytetarë zhvilluan të hënën në Tiranë një marshim-protestë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Top Channel