Itali, atentat shefit të agjencisë atomike

07/05/2012 16:45

Shefi i agjencisë italiane për energjinë bërthamore ka mbetur i plagosur pasi është qëlluar me armë zjarri pranë shtëpisë së tij në qytetin e Xhenovës, në veri të vendit.

Roberto Adinofli, 53 vjeç, u qëllua në këmbë nga një person i armatosur që po udhëtonte me një motoçikletë, përmes të cilës dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Për fat të mirë, njoftojnë autoritetet italiane, Adinolfi ka marrë tashmë mjekimet e para dhe nuk rezulton të ketë pësuar lëndime serioze.

Agjencia e drejtuar prej tij, Ansaldo Nucleare, është pjesë e gjigandit Finmeaccanica, që kontrollon hapësirën ajrore dhe mbrojtjen e Italisë.

Për momentin asnjë grup nuk ka marrë përsipër autorësinë e sulmit, por hetuesit e cituar nga mediat lokale sugjerojnë se mund të jetë vepër e anarkistëve.

Lëvizjet anarkiste kanë një prani të fuqishme në portin e qytetit të Xhenovës dhe sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, policia po heton deklarata të bëra së fundmi nga disa grupe anarkiste, që bënin thirrje për “hyrjen në një fazë të re që të mund të çojë në aksione të armatosura”.

Atentati ndodhi gjatë paradites, kur zoti Adinolfi po dilte nga shtëpia e tij. Një motoçikletë me dy persona në bord, të cilët mbanin kasketa në kokë, iu afrua atij dhe një prej dy personave e qëlloi në këmbë, pak centimetra poshtë gjurit.

Kreu i kompanisë mëmë Finmeccanica, Alessandro Pansa, deklaroi se bëhej fjalë për një ngjarje jashtëzakonisht shqetësuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA