Boris Tadic, i lindur në Sarajevë, në vitin 1958, në politikë është futur fuqishëm pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjic.

Me profesion është psikolog. Ka punuar si shitës gazetash, ka qenë model, ka punuar psikolog ushtarak, ka prodhuar lodra për fëmijë, profesor gjimnazi, ministër i telekomunikacionit, ministër i mbrojtjes dhe më pas president i shtetit.

Është një nga politikanët më të shpërblyer me çmime të ndryshme për demokraci dhe lidership.Ka shërbyer dy mandate si president për të dhënë dorëheqje në postin e tij për tu futur një vit para mandatit në garën zgjedhore. Ndryshimi i kushtetutës ia mundëson edhe një mandat.

Ka kërkuar falje për masakrën e Srebrenicës dhe e ka vizituar dy herë këtë vend. Është kritikuar se ka bërë kompromise dhe e ka kthyer vendin në një gjendje varfërie, tensionesh dhe ka lejuar rritjen e nacionalizmit. Megjithatë, për mandatin e fundit ka arritur heqjen e vizave dhe ta bëj vendin kandidat për në BE.

Ka deklaruar se Serbia kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës, por ka bërë thirrje për pajtim historik mes shqiptarëve dhe serbëve.

Është i biri i filozofit dhe akademikut, Ljubomir Tadic. Flet anglisht, italisht, frëngjisht. Ndërsa bashkëshortja e tij e parë është tashmë murgeshë në Patriarshinë e Pejës. Me gruan e dytë ka dy fëmijë.

Nicolic, njeriu që luhat politikën serbe

Tomisllav Nikolic, i lindur në Serbinë qendrore në vitin 1952, në politikë është prej më shumë se 20 vjetësh. I njohur dikur për radikalizmin e thellë, patriot e që pajtohej për Serbinë e madhe, tani i takon njerëzve që besojnë në integrimet evropiane.

Kumbar shtëpie me radikalin, Vojisllav Sheshel, nga i cili u nda dy vjet më parë për shkak të ndryshimeve politike.

Adresë e diplomatëve perëndimorë, shihet si njeri që mund ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe si njeri që nuk do ta radikalizojë Serbinë më shumë.

Ka kandiduar tri herë për president të Serbisë, një herë të Jugosllavisë, ndërkaq kjo është hera e pestë. Ka qenë  deputet në kuvend në çdo mandat që nga pluralizmi. Në zgjedhjet e vitit 2008 në raundin e parë ka fituar 39 për qind të votave si i pari kandidat, por ka humbur kundrejt demokratit Boris Tadic në raundin e dytë.

Në vitin 2007, ka qenë kryetar i Kuvendit të Serbisë për pesë ditë. Njihet si Toma Grobar apo Toma varrtari pasi ka qenë drejtor i varrezave në qytetin e lindjes, në Kragujevc.

Ka qenë i afërt me Sllobodan Milloshevicin, por socialistët e kanë dënuar me tre muaj burg në vitin 1995 që i ka vuajtur në qytetin e Gjilanit, në Kosovë.

Së fundmi ka deklaruar se është diplomuar dhe në magjistruar për menaxher, ndonëse është akuzuar se e ka blerë diplomën.
 

Top Channel