Obama nis fushatën zgjedhore

06/05/2012 12:00

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, nisi fushatën e tij për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë me dy mitingje në dy shtete që pritet të jenë përcaktuese në zgjedhjet presidenciale, në Ohajo dhe Virxhinia.

Presidenti i tha mbështetësve të tij në Ohajo se SHBA janë duke dalë nga recesioni dhe se kërkon një mandat të dytë për të çuar deri në fund platformën e tij të suksesshme ekonomike.

Duke folur për rivalin e tij, republikanin Mitt Romney, Obama vlerësoi se një fitore për të do të kthente pas kohën. Megjithatë, pranoi se zgjedhjet e 6 nëntorit do të përcaktohen nga një rezultat i ngushtë.

“Kjo nuk është thjeshtë një zgjedhje e ardhshme, por një moment vendimtar për klasën e mesme. Kemi bërë shumë rrugë për ta lënë atë në këtë pikë dhe kjo është arsyeja përse do të konkurroj për një mandat të dytë si president i SHBA-ve”, tha presidenti në arenën e basketbollit, përpara 14 mijë mbështetësve.

Ditën e premte, Romney kritikoi ashpër administratën aktuale për reformat e munguara dhe paaftësinë e saj për të luftuar papunësinë, e cila që prej vitit 2009 ka mbetur në normën e 8%.

Në kundërpërgjigje të deklaratës së Obamës, një zëdhënësi i tij deklaroi: “Ndërsa Presidenti Obama në fjalën e tij harroi shifrat e dobëta të tre viteve e gjysmë në drejtimin e vendit, amerikanët nuk do ta harrojnë këtë. Këtë nëntor, ai do të paguajë mosrealizimin e premtimeve të tij dhe lidershipin e paefektshëm”.

Obama tha se e kupton zhgënjimin e shumë amerikanëve për ritmin e ngadaltë të ndryshimeve të premtuara prej tij, por theksoi se pas kalimit të krizës financiare, në 4-vjeçarin pasardhës tranformimi i vendit do të përshpejtohet.

Duke u përqendruar tek rivali i tij, Obama e cilësoi Romney si një baba të mirë familje dhe një biznesmen të aftë, por theksoi se ai ka nxjerrë leksionet e gabuara nga të qënit drejtor ekzekutiv dhe se politikat që ai synon të realizojë do të sillnin përfitime vetëm për të pasurit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA