Egjipt, arrestime masive pas protestave

06/05/2012 10:55

Mbi 300 persona u arrestuan nga policia egjiptiane pas përleshjeve midis protestuesve dhe forcave të sigurisë, në kryeqytetin egjiptian, Kajro.

Lajmin e konfirmuan burime ushtarake mëngjesin e së dielës. Arrestimet masive vijën pasi përleshjet përballë Ministrisë së Mbrojtje ditën e premte shkaktuan vrasjen e një ushtrari dhe plagosjen e qindra personave.

Aktualisht, një gjendje ndalim-qarkullimi është vendosur përreth Ministrisë. Shpërthimi i dhunës, inkurajuar nga përjashtimi nga lista për kandidatë presidencialë i disa kandidatëve popullorë, vjen në një moment veçanërisht delikat për Egjiptin, vetëm tre javë përpara zgjedhjeve vendimtare.

Midis qindra të arrestuarve përfshihet edhe jë numër gazetarësh. Ligji i jep të drejtë autoriteteve që të mbajnë të burgosur të gjithë të ndaluarit për 15 ditë, deri në hetimin e rolit të tyre në trazira, përpara se të publikohen akuza ose të lirohen.

I vetmi lëshim që kanë bërë autoritetet ushtarake është lirimi i të gjithë grave të burgosura, më pak se 20 të tilla, të cilat do të ndiqen në gjendje të lirë.

Më parë gjatë javës, 11 persona gjetën vdekjen, pasi një grup protestuesish u sulmua nga persona të paidentifikuar që qëlluan ndaj turmës me armë dhe sende të forta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA