Siri, shpërthim i fuqishëm në Alepo

05/05/2012 00:00

Një shpërthim i fuqishëm në rrethinat e Alepos, qyteti i dytë më i madh i Sirisë, ka vrarë dhe plagosur persona të shumtë.

Lajmin e bëjnë të ditur aktivistët, sipas të cilëve pesë persona kanë mbetur të vrarë nga shpërthimi, që kishte si shënjestër një autobus në rajonin Tall al Zarazer.

Ndërkohë, dy shpërthime të tjera janë regjistruar në Damask ditën e shtunë, por për fat të mirë askush nuk ka mbetur i lënduar.

Ende nuk dihet nëse personat e lënduar në shpërthimin e Alepos ishin civilë apo anëtarë të forcave të sigurisë, ka deklaruar një zëdhënës i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

I njëjti burim ka saktësuar se shpërthimi ndodhi në një lavazh makinash, pronar i të cilit është një militant pro-qeveritar i grupit civil Shabiha.

Ndërsa shpërthimet në Damask u shkaktuan nga bomba të vendosura poshtë makinave në rrugën Thauara, një aks kyç i qytetit.

Shpërthimet dëmtuan nëntë automjete që ndodheshin pranë dhe lanë një krater të madh në rrugë, por për fat të mirë nuk shkaktuan lëndime në njerëz.

Dhuna ka vazhduar të jetë e pranishme në Siri, pavarësisht armëpushimit të vendosur mes qeverisë dhe forcave të opozitës, të ndërmjetësuar nga i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan.

Më herët gjatë javës, ditën e enjte, të paktën katër persona u vranë në këtë qytet, kur forcat e sigurisë qëlluan ndaj studentëve që po protestonin.

Top Channel