Sërish përleshje në Egjipt, viktima e të plagosur

05/05/2012 00:34

Një ushtar raportohet të jetë vrarë dhe qindra persona të tjerë janë plagosur në përleshjet midis forcave të sigurisë egjiptiane dhe protestuesve në Kajro.

Për të shpërndarë turmën, ushtarët kanë përdorur ujin me presion dhe gazin lotsjellës, jashtë ambienteve të Ministrisë së Mbrojtjes.

Dhjetra njerëz janë arrestuar dhe për natën në vazhdim në vend do të jetë në fuqi shtetrrethimi. Disa prej protestuesve u shpërndanë ndërsa disa të tjerë iu bashkuan një tjetër proteste në Sheshin Tahrir.

Të mërkurën, agresorë të paidentifikuar sulmuan protestuesit jashtë ministrisë, duke lënë të paktën 20 prej tyre të vdekur.

Protestuesit, të cilët demonstronin kundër qeverisë së Këshillit  Supreme të Forcave të Armatosura, akuzuan këta të fundit për orkestrimin e sulmit.

Sipas BBC, demonstruesit injoruan thirrjet e ushtrisë për të mos iu afruar minstrisë.

Ata u munduan të thyenin rrethimin me tela me gjemba ndërsa ushtria reagoi me gaz lotsjellës dhe ujë për t’i shpërndarë.

Përplasja me gurë nga njëra “llogore” në tjetrën vazhdoi për disa orë me radhë.

Më vonë Ministria e Shëndetësisë tha se një ushtar kishte humbur jetën, ndërsa rreth 300 persona ishin plagosur, 130 prej të cilëve po kurohen nëpër spitale.

Ushtria thotë se procedurat kundër të arrestuarve kanë filluar tashmë nëpër gjykatat ushtarake.

Trazirat erdhën vetëm tre javë përpara zgjedhjeve presidenciale, të parat që nga koha kur Hosni Mubarak u detyrua të japë dorëheqjen.

Top Channel