Japonia fik reaktorin e fundit atomik

05/05/2012 00:00

Japonia po fik reaktorin e fundit bërthamor që është në funksion, si
pjesë e planit të sigurisë të hartuar pas tsunamit të marsit të vitit të
kaluar, që dëmtoi rëndë impiantin e Fukushimës.

Reaktori i tretë tek impianti Tomari, në prefekturën e Hokaidos, po fiket për disa punime rutinë që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen.

Fikja e reaktorit të fundit e lë Japoninë pa energji nga impiantet atomike, për herë të parë në më shumë se 40 vjet. Deri vitin e kaluar, Japonia siguronte 30 për qind të energjisë elektrike nga energjia bërthamore.

Qindra persona marshuan në rrugët e Tokios, duke valëvitur flamuj për të festuar atë që ata shpresojnë të jetë fundi i energjisë bërthamore në Japoni.

Që nga katastrofa e Fukushimës, të gjithë reaktorët e vendit janë fikur për mirëmbajtje. Ata duhet të kalojnë testet kundër tërmeteve dhe tsunameve dhe banorët duhet të japin konsensusin e tyre për t’i rindezur ata.

Deri tani, një gjë e tillë nuk është bërë. Ministrat kanë paralajmëruar se Japonia do të përballet me kufizime të energjisë gjatë sezonit të verës.

Korrespondenti i BBC në Tokio thotë se qeveria mund ta ndryshojë vendimin, por deri tani është përmbajtur të lëvizë kundër opinionit publik. Organizatorët e marshimit anti-bërthamor në kryeqytet vlerësojnë se pjesëmarrësit kanë qenë rreth 5.500.

Top Channel