Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, bëri
thirrje për sjellje të përgjegjshme dhe shmangie provokimesh, një ditë
para zhvillimit të zgjedhjeve në Serbi, dhe votimit të parashikuar vetëm
për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare edhe në disa pjesë të
Kosovës.

Pasi fton qytetarët serbë të vendosin për drejtimin e të ardhmes së vendit, duke zgjedhur udhëheqësit e duhur, Ashton ia përkushton pjesën dërrmuese të deklaratës për shtyp Kosovës, ku situatën e sigurisë e cilëson sfiduese.

“BE mbështet plotësisht rolin e OSBEsë në lehtësimin e votimeve në Kosovë për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. I bëj thirrje të gjithëve të sillen me përgjegjshmëri, të shmangin provokimet dhe të bashkëpunojnë me OSBE-në në mirëbesim, që votimi të mund të zhvillohet në mënyrë të paqtë e të rregullt. Marrëveshja mbi rolin e OSBEsë ofron një perspektivë të vërtetë për pjesmarrjen demokratike në një klimë sfiduese sigurie, me kusht që të respektohet nga të gjithë”, përkujton Ashton në një komunikatë për shtyp.

Në përfundim, shefja e diplomacisë evropiane garanton se EULEX-i do të vëzhgojë situatën e sigurisë dhe është i përgatitur të përballet me çdo eventualitet, në përputhje me mandatin dhe përgjegjësitë si dhe në bashkëpunim me KFOR-in.Megjithë zënkat e pakënaqësitë mes dy organizatave mbi mbivendosjen e roleve respektive në terren, për zgjedhjet serbe, qëndrimi i BE-së është koordinuar ngushtë me atë të një dite më parë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Ditët e fundit, Aleanca shtoi edhe praninë e trupave të KFOR-it në Kosovë. Për këtë të fundit, Rasmussen falenderoi nëpërmjet Twitter-it Gjermaninë dhe Austrinë, me argumentin se shtimi i këtyre forcave nevojitet realisht.

Pergatiti ERNEST BUNGURI

Top Channel