11/9, të akuzuarit gjyq në Guantanamo

05/05/2012 08:15

Khalid Sheikh Mohammed dhe katër persona të tjerë të akuzuar për organizimin e sulmeve të 11 shtatorit do të shfaqen në një gjykatë ushtarake në Gjirin e Guantanamos.

Një përpjekje e mëhershme u pengua tre vjet më parë, kur presidenti Barack Obama u përpoq të mbyllte burgun e Guantanamos.

Që atëherë janë prezantuar rregulla të reja për gjyqet në bazën e Shteteve të Bashkuara në Kubë, përfshirë një për ndalimin e provave të siguruara me anë të torturës.

Gjithësesi, avokatët mbrojtës deklarojnë se sistemit gjyqësor i mungon legjitimiteti, për shkak të aksesit të kufizuar tek klientët e tyre.

Përpjekjet e presidentit Obama për të mbajtur gjyqin e Khalid Sheikh Mohammed në Nju Jork hasën në kundërshtimin politik dhe publik dhe për rrjedhojë tani do të mbahet në Kubë, ashtu siç ishte parashikuar.

Një numër i vogël i të afërmve të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit kanë mbërritur në kompleksin ushtarak për të ndjekur proçesin.

I vetëshpallur si “truri” i sulmeve ndaj Kullave Binjake në Nju Jork, Khalid Sheikh Mohammed dhe katër të tjerët pritet të gjykohen së bashku.

Ata akuzohen se kanë planifikuar dhe ekzekutuar sulmet, që u kryen përmes marrjes së kontrollit të avionëve që u përplasën më pas në Nju Jork, Uashington dhe Shenksvill, duke lënë 2.967 të vdekur.

Top Channel