Rizgjedhja, “betejë e humbur” për Sarkozy

04/05/2012 00:00

Rruga drejt përsëritjes së një tjetër mandati në krye të Francës për Nicolas Sarkozy, sa vjen e vështirësohet më shumë. Presidenti-kandidat, pësoi një goditje të rëndë ditën e enjte, teksa kandidati i qendrës në raundin e parë të zgjedhjeve, Francois Bayrou u kërkoi haptas mbështetësve të tij të votonin për kandidatin e socialistëve, Francois Hollande.

Bayrou mori 9.1 përqind të votave në raundin e parë dhe nëse gjysma e mbështetësve të tij do të votonin për Hollande, shto këtu edhe avantazhin që japin sondazhet për të, kandidati socialist me shumë gjasa do të jetë presidenti i ri i Francës pas 6 majit.

Nga ana e tij, Sarkozy ka minimizuar ndikimin e Bayrou, duke “injoruar” deklaratën e tij, e si shembull për këtë solli në kujtesë zgjedhjet e 5 viteve më parë, ato të 2007-ës, kur Bayrou deklaroi votën kundër Sarkozy.

“Francois Bayrou ka të drejtën të bëjë zgjedhjen e tij. Kjo nuk ndikon aspak, sepse edhe në 2007-ën, pati deklaruar se nuk do të votonte kurrë për mua, por unë sërish munda të zgjidhem president”, deklaroi Sarkozy.

Sondazhet e fundit tregojnë kryesues me rreth 6 përqind kandidatin socialist. Në fakt, ditët e fundit, Sarkozy ka marre disa pike ndaj kundërshtarit. Ai tha të mërkurën se zgjedhjet franceze nuk kanë qenë kurrë kaq të “lëkundura”.

Por për analistët atij i duhet shumë fat për të fituar një mandat të dytë dhe zgjidhja mund të jenë votat e ekstremit të djathtë, votat e Marie Le Penn, kandidatja e raundit të parë që mori rreth 20 përqind të mbështetjes së francezëve.

Nëse do të humbasë, Nicola Sarkozy, do të jetë i pari president pas Valery Giscard D’Estaing i cili nuk mori një mandat të dytë në vitin 1981.

Top Channel