Kina e lejon disidentin Chen të largohet

04/05/2012 09:05

Kina deklaroi se disidenti Chen Guangcheng ka të drejtë të studiojë jashtë vendit, ashtu si çdo shtetas tjetër kinez që aplikon dhe kërkon të zhvendoset diku tjetër.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, publikuar ditën e premte, lajmërohej se Chen mund të aplikojë konform të gjitha kanaleve të parashikuar nga ligji.

Disidenti i verbër është shndërruar në një çështje të rëndësishme në marrëdhëniet e Pekinit me Uashingtonin, pasi ai gjeti strehim në ambasadën amerikane, pasi u arratis nga arresti shtëpiak, më parë gjatë prillit.

Guangcheng vendosi të largohej nga ambasada pas marrjes së garancive për sigurinë e tij, por më pas, burime pranë tij thanë se largimi ndodhi si pasojë e kërcënimeve për jetën e familjarëve të tij.

Chen vuajti një dënim prej katër vitesh burg dhe u vendos në regjim të arrestit shtëpiak, pasi demaskoi një skandal, në të cilin zyrtarë të një krahine në Kinë detyronin vajzë e reja të sterilizohesin ose abortonin, në kuadrin e politikës së kontrollit të lindjeve.

Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen, Liu Xiaobo, aktualisht është duke vuajtur 11 vite burgim në Kinë, pasi sugjeroi ndërrimin e regjimit.

Top Channel