Gazetarët protestë në Bruksel

04/05/2012 00:05

Në momentin kur në Kuvendin e Shqipërisë Komisioneri Stefan Fule fliste për rëndësinë e lirisë së shtypit, në Komisionin Evropian në Bruksel, gazetarët e kthyen konferencën e rregullt të mesditës, në një protestë për mungesën e transparencës ndaj mediave nga vetë ky institucion i BE-së.

Pikërisht në ditën botërore të lirisë së shtypit, gazetarëve iu erdhi në ndihmë vendimi i Presidentit Barroso për të mos mbajtur një konferencë për shtyp pas takimit me zëvendës-kryeministrin kinez.

Ann Cahill, Presidentja e Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, API:

“Sot, “Freedom House” raporton se Kina dhe Rusia e kanë mbërthyer ngushtë median nëpërmjet taktikave të kufizimit të kritikëve të qeverisë apo mbylljes së ambienteve të mediave. Ne mund ta kuptojmë që autoritetet kineze mund të mos duan të përballen me median, por shprehim keqardhjen tonë të thellë që udhëheqësit tanë evropianë, pak si me mirësjellje të tepruar, apo si me diplomaci, mendojnë se edhe ata nuk duhet t’i respektojnë parimet e BE-së e të takohen me shtypin. Si anëtare e API-t, përfaqësuese e mediave, dua të protestoj për këtë sjellje dhe të kërkoj formalisht që Presidenti Barroso të mbajë një konferencë për shtyp, pas takimeve të tij me vizitorët kinezë!”

Pia Ahrenkilde Hansen, zëdhënëse e Komisionit Evropian:

“Mendoj se patët mundësinë e paprecedentë për të ushtruar lirinë tuaj, në sallën tonë të shtypit me këtë deklaratë, dhe mendoj se është krejtësisht e duhur prandaj ju dhashë fjalën e plotë sot, si një sinjal se ne në Komisionin Evropian, siç e ka thënë edhe presidenti, respektojmë lirinë e shtypit dhe se kjo liri është e panegociueshme”.

Më pas zëdhënësja e Komisionit justifikoi mosmbajtjen e konferencës për shtyp me rëndësinë e marrdhënieve me partnerët strategjikë të BE-së siç janë Rusia apo Kina.

Në ditën e lirisë së shtypit, gazetarë të shumtë në Bruksel vijuan kritikat për Komisionin duke sjellë shembuj të ndryshëm, në shenjë proteste ndaj institucionit që megjithëse aplikon një transparencë më të madhe se shumë qeveri të vendeve anëtare, nuk i shpëton sërish gazetarisë së lirë dhe kritike.

BE lavdëron punën e gazetarëve

Në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit, Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, i shprehu nderimin, në emër të unionit, të gjithë atyre që luftojnë për respektimin e lirisë së shprehjes dhe për mediat e lira dhe pluraliste.

“Çensura dhe ngacmimi i publikuesve, shkrimtarëve, gazetarëve janë të papranueshme, siç janë edhe përdorimi i dhunës apo arrestimet e tyre nga shteti. BE lavdëron punën kurajoze të gazetarëve të cilët, shpesh në kushte tejet të vështira, vijojnë të ofrojnë informacion të pavarur. BE i bën thirrje të gjitha shteteve të garantojnë sigurinë e gazetarëve dhe t’iu mundësojnë të vazhdojnë rolin e tyre jetësor në raportimin apo komentimin e ngjarjeve, në një mënyrë të pavarur dhe pa u frikësuar nga dhuna apo nga paditë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën për shtyp të Përfaqësueses së Lartë të BE-së.

Ashton përfundon deklaratën në emër të BE-së duke përkujtuar se liria e shprehjes përfshin internetin dhe mediat e tjera, dhe se BE kundërshton fort çdo kufizim të pajustifikuar dhe të shpërpjestuar të qasjes në përdorimin e këtyre mediave.

Përgatiti: Arta Tozaj

 

Top Channel