Francë, dita e fundit e fushatës

04/05/2012 09:20

Dy rivalët e mbetur në garën presidenciale franceze, Nicolas Sarkozy dhe Francois Hollande, përballen ditën e premte në mitingjet e fundit popullore, përpara votimeve të së dielës.

Sipas sondazheve të publikuara të premten, në ditën e fundit të fushatës, Hollande është përpara me 6% në preferenca.

Presidenti në fuqi, Nicolas Sarkozy, është ngjitur gradualisht në sondazhe në ditët e fundit dhe deklaroi të enjten se zgjedhjet në vendin e tij nuk kanë qenë kurrë më të ngushta.

Megjithatë, me dy ditë të mbetura për 44,5 milionë votuesit francezë për të ndryshuar mendim, analistët vlerësojnë se duhet një kthesë e pabesueshme fati për të marrë një mandat të dytë në krye të “Elysse”.

Sipas axhendës së paralajmëruar, kandidati socialist, Hollande, do të udhëtojë në Mozel, ku do të mbajë një fjalim publik, përpara se të vizitojë Periguen në rajonin e Dordonjës, për mitingun e tij përfunditmar.

Nicholas Sarkozy, nga ana e tij, do të mbyllë fushatën me një fjalim nga Sables d’Olonne, në perëndimin e Francës. Fushata, zyrtarisht përfundon në orën 23:00, sipas orës shqiptare.

Top Channel