Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell ka kërkuar që të injorohet qëndrimi i disa politikaneve serbë të cilët pretendojnë t’i mbajnë zgjedhjet lokale në tri komunat veriore të Kosovës. pas ceremonisë së nënshkrimit të granteve për organizatat serbe të shoqërisë civile, ai gjithashtu përshëndeti rolin lehtësues të OSBE-së në këto zgjedhje.

“Njoftimet se zgjedhjet lokale do të mbahen në veri nuk janë ngjarje. Kjo nuk është edhe aq e rëndësishme sikurse referendumi që u mbajt në veri. Beogradi, UNMIK-u të gjithë kanë thënë se këto zgjedhje nuk kanë qëndrim. Edhe besoj që udhëheqësit i UNMIK-ut ka thënë se nuk do të merret me udhëheqësit që do të zgjedhën dhe nuk kam mendim për ta. Duhet t’i injoroni”, tha Christopher Dell, ambasadori amerikan në Prishtinë.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi është shprehur i bindur se nuk do të ketë eskalim të situatës dhe përdorim të dhunës në veri gjatë kohës së mbajtjes së zgjedhjeve serbe.

Nga ana tjetër, OSBE-ja ka konfirmuar se i gjithë materiali i votimit, përfshirë fletëvotimet, kutitë e votimit, llampat ultraviolete dhe listat e votuesve janë marrë nga Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë.

OSBE do ta kryejë vetëm një aspekt të procesit zgjedhor që është lehtësimi i votimit. Këshillat e vendvotimeve do të përbëhen stafi i OSBE-së. Një anëtar ndërkombëtar i Misionit do të shërbejë si koordinator për qendrën e votimit. Personat me te drejtë vote do të regjistrohen dhe do ta marrin një fletëvotim të cilin mund ta plotësojnë në privatësi dhe më pas ta hedhin atë në një kuti të vulosur të votimit.

Top Channel