Bin Laden, i trazuar drejt fundit të jetës

04/05/2012 08:25

Dokumentet e reja, të shkruara nga vetë Osama Bin Laden tregojnë se lideri i al-Kaedës e kishte të pamundur të kontrollonte apo besonte strukturën që ai vetë krijoi, drejt fundit të jetës së tij.

Një përzgjedhje dokumentash të sekuestruar gjatë sulmit të një njësie elite e marinës në banesën e Bin Ladenit në Pakistan, një vit më parë, u bënë publike ditën e enjte nga Ushtria Amerikane. Dokumentat u postuan në faqen e internetit të Akademisë Ushtarake të Luftës kundër terrorizmit.

Midis pakënaqësive më të mëdha të Bin Ladenin, që mbeti i vrarë në sulmin gjatë së cilit u sekuestruan mbi 6 mijë dokumente, 17 prej të cilëve të publikuar në vëllimin 175 faqesh, ishte shënjestrimi i muslimanëve të tjerë nga vetë anëtarët e grupit.

Në disa letra, “arkitekti” i sulmeve të 11 shtatorit i kërkonte idhtarëve të tij që të përqendroheshin tek lufta e shenjtë ndaj SHBA-së, ndërsa nga ato që thotë Bin Laden, vërehet një marrëdhënie tejet problematike e Al-Kaedës me Pakistanin dhe Iranin.

Në një letër, Osama shprehte pakënaqësinë e tij që Teherani nuk përfshihej në negociata për lirimin e disa anëtarëve të familjes së tij, pavarësisht presioneve që i ushtroheshin nga organizata terroriste.

Rreth Pakistanit, në një letër i bëhej një referim “vëllezërve të besuar pakistanezë”, por Bin Laden shprehte hapur frikën e tij nga mundësia e infiltrimit të radhëve të al-Kaedës nga shërbimet “e frikshme” sekrete të këtij vendi.

Në disa letra të shkruara nga vetë dora e Bin Laden, vlerësohet se sulmi ndaj SHBA do të sillte si përfundim dobësimin e armiqve të tjerë: “Ndonëse kemi shansin që të sulmojmë Britaninë, nuk duhet të harxhojmë kohën me sulme të tilla, pasi duke u përqëndruar në luftën me Amerikën, duke e mposhtur atë, do të mund të mposhtim edhe armiqtë e tjerë”.

Në një tjetër dokument, kreu i al-Kaedës pranonte ekzistencën e gabimeve gjatë periudhës së drejtimit të tij dhe kërkonte që “2010 të shënonte fillimin e një faze të re në historinë e organizatës. Duke bërë këtë, me ndihmën e Allahut, do të mund të fitojmë edhe besimin e atyre segmenteve që kanë humbur besimin tek lufta e shenjtë”.

Në fund, interesante edhe pikëpamja e Bin Laden se aleanca me organizatat islamike terroriste në Afrikë, si al-Shabab apo Boko Harram do të ndihmonte pak al-Kaedën në misionin e saj, si dhe vlerësimi për “Pranverën Arabe”.

Përpara vdekjes, në një letër, Bin Ladeni shkruante gjithashtu se i druhej shpërbërjes së al-Kaedës në grupe më të vogla pas vdekjes së tij, diçka që sipas ekspertëve, në të vërtetë është duke ndodhur.

Top Channel