Në prag të derbit vendimtar të Milanos, pronari i Milanit, Silvio Berlusconi, theksoi se ai vazhdon të besojë tek titulli kampion. “Vazhdojmë të shpesojmë. Besimi tek Allegri? Ia kam konfirmuar personalisht”, deklaroi ish-kryeministri.
Ndryshe nga pronari i tij, administratori i deleguar, Adriano Galliani, shprehu pakënaqësinë për polemikat në lidhje me orarin kur do të zhvillohen ndeshjet dhe u rikthye tek goli fantazëm i Muntarit, anullimi i të cilit mund të rezultojë vendimtar për këtë titull kampion.
“Personalisht, nuk e kam kuptuar kurrë rëndësinë e të luajturit përpara ose pas. Në çdo rast duhet të fitosh, çfarë ndryshimi ka?”, pyeti Galliani, i cili duke u ndalur tek lufta e titullit, shtoi: “Golin e Muntarit e mbaj gjithmonë në celularin tim. E shoh vazhdimisht për të mos harruar që ne tani do të ishim të parët”.
Milani duhet të rikuperojë një pikë disavantazh ndaj Juventusit në dy javë nga fundi, por Galliani shmang çdo parashikim. “Unë nuk e njoh të ardhmen. Për pishmane dhe keqardhje do të flasim nëse do të kemi të tilla në fund të kampionatit, por jam i sigurt që Baresi do të kishte qenë më i mirë se pothuajse të gjithë vijërojtësit në këtë vit, për arsyen e thjeshtë që shikon nga sytë”.
Në lidhje me raportet e tij me Berlusconin, Galliani e mbylli prononcimin me një batutë: “Sot folëm në telefon dhe më pyeti se deri në çfarë pike kemi arritur në bisedimet me Guardiolën”.
Top Channel