Siri, goditen konviktet, viktima

03/05/2012 15:20

Të paktën katër persona mbetën të vrarë ndërsa forcat e sigurisë dhe ato paraushtarake sulmuan një konvikt studentësh në qytetin e dytë më të madh të Sirisë, në Alepo.

Aktivistët raportuan të enjten se të shtëna armësh u dëgjuan gjatë shpërndarjes së një grupi protestuesish anti-qeveritarë, në dalje të kompleksi universitar, ditën e mërkurë. Në aksion u arrestuan më shumë se 200 studentë.

Deri më sot, Alepo ka qenë një qytet relativisht i qetë, duke i shpëtyar dhunës që shumë qytetet të tjera siriane kanë njohur, por protestat paqësore të studentëve në mbështetje të rikthimit të paqes në vend kanë qenë thuajse të përditshme.

Një student në Alepo, Thaer al-Ahmed, deklaroi se ekziston panik dhe kaos ndërsa personeli i forcave të sigurisë dhe milicia vendase i kanë shënjestruar gjatë manifestimeve të tyre.

”Disa studentë rendën në dhomat e tyre për t’u mbrojtur, por ushtarët i ndoqën deri në dhoma, ku u rrahën dhe u arrestuan. Disa kanë pësuar të çara të thella dhe fraktura, gjatë dhunës brutale gjatë shoqërimit në polici, ku nuk dihet më asgjë për gjendjen e tyre shëndetësore”, deklaroi al-Ahmed për “Associated Press”.

Një strukturë lokale e lëvizjes së kryengritësve, ndërsa i ka lëshuar një apel të gjithë studentëve që ndodhen ende në konvikte, që të largohen sa më shpejt pasi nuk janë më të sigurt.

Ndonëse një armëpushim hyri në fuqi në datën 12 prill, situata në Siri mbetet ende e paqëndrueshme, ndërsa asnjëra nga palët nuk ka respektuar detajet e armëpushimit.

Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rreth 10 mijë persona kanë mbetur të vrarë në më shumë se një vit trazira në vendin arab me 25 milionë banorë. Megjithatë, të dhëna paralele të aktivistëve e ngrenë këtë shifër në mbi 20 mijë viktima.

Top Channel