SHBA zbulon letrat e Bin Laden

03/05/2012 15:50

Një përzgjedhje dokumentash të sekuestruar gjatë sulmit të një njësie elite e marinës në banesën e Bin Ladenit në Pakistan, një vit më parë, u bënë publike ditën e enjte nga Ushtria Amerikane.

Dokumentat u postuan në faqen e internetit të Akademisë Ushtarake të Luftës kundër terrorizmit.

Midis fletëve gjenden prova të qarta të shqetësimit të liderit të Al-Kaedës në lidhje me faktin se shumë drejtues të organizatës ishin vrarë ose ishin të pasigurt në vendndodhjen e tyre.

175 faqe dokumenta janë lëshuar në internet, pasi u gjetën në kompleksin në Abotabad, ku Bin Ladeni u vra pas operacionit të ndihmuar nga CIA (Agjensia Qëndrore e Inteligjencës).

Midis dokumenteve të papublikuara besohet se janë edhe dhjetëra komunikime të themeluesit të al-Kaedës me bashkëpunëtorët e tij dhe një ditar i shkruar me dorë.

Mes atyre informacioneve që janë shfaqur në faqen në internet, përfshihen edhe disa letra të udhëheqësve të tjerë të al-Kaedës, në periudhën midis shtatorit 2006 dhe prillit 2011.

Në to hidhet dritë mbi shqetësimet e Bin Ladenit se muslimanët po largoheshin gjithmonë e më shumë nga rruga e xhihadit. Ai udhëzonte vartësit e tij kundër sulmeve në vende arabe, duke dashur që të fokusohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Disa dokumenta, gjithashtu sugjerojnë se al-Kaeda kishte një marrëdhënie të vështirë me Pakistanin dhe me Iranin. Në një letër të prillit 2011, Bin Ladeni e konsideron “Pranverën Arabe” si një “ngjarje jashtëzakonisht të mirë”.

Më parë gjatë javës, shefi i Shtëpisë së Bardhë në luftën kundër terrorizmit, John Brennan, deklaroi se dokumentat vërtetonin pipëpamjen amerikane se SHBA dhe bota ishin më të sigurta pa Bin Ladenin.

Top Channel