Francë, debati televiziv Sarkozy-Hollande

03/05/2012 00:41

Në vazhdën e një fushate zgjedhore intensive, presidenti francez Nikolas Sarkozy dhe sfidanti i tij socialist, Francois Hollande kanë zhvilluar dhe të parin e të vetmin debat televiziv. Shefi i Elizesë është shfaqur më i ashpër e agresiv, ndërsa rivali socialist ka ruajtur qetësinë, duke rrezatuar një siguri të brendëshme.

Kjo përballje konsiderohet e një rëndësie kyce përpara balotazhit të së dielës. Për Sarkozinë, ajo mund të jetë shansi i fundit i ripozicionimit në garën e kryesuar nga Hollande. Presidenti, megjithatë, ka shfrytëzuar maksimalisht aftësitë e tij debatuese përballë rivalit që nuk ka asnjë eksperiencë me poste qeveritare.

Debati u transmetua live nga disa stacione televizive dhe arriti një shikueshmëri rekord. Hollande ka goditur në atë që shihet si pika e dobët e kundërshtarit, ekonomia dhe shkurtimet aq të përfolura të shpenzimeve qeveritare.

Sarkozi i mbrojti politikat e tij ekonomike, duke theksuar se nën drejtimin e  tij, Franca që prej 2009-ës nuk ka kaluar asnjë recesion.

Hollande kundërshtoi, duke insistuar se vendi është aktualisht në mesin e një krize serioze dhe po lufton me ngadalësimin e rritjes ekonomike. Ai përmendi nivelin rekord të papunësisë dhe iu referua edhe uljes së Francës në klasifikimet e agjensive të vleresimit të riskut.

Presidenti e sfidoi me kritikat për formulat boshe sic i quajti ai, ndërsa theksoi se i ka marrë gjithmonë përgjegjësitë e veta në cdo situatë.

Kandidati socialist nuk ngurroi të ironizonte: “Me ju është shumë e thjeshtë. Asnjëherë nuk është faji juaj” .

Deri tani, sipas sondazheve më të fundit, preferencat për kandidatët janë 53,5% për Hollande dhe 46,5% për Sarkozinë.

Top Channel