Misioni evropian për rendin dhe ligjin, EULEX, do të dërgojë disa njësi speciale në veri të Kosovës, të cilat do të kryejnë një seri arrestimesh në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.

Lajmin e bën të ditur agjencia “INA” që citon burime diplomatike të afërta me misionin e BE-së, sipas të cilave gjithësej në veri do të dërgohen rreth 300 policë të njësive elitare.

Sipas burimeve, aksioni anti-krim do të ketë si objektiv goditjen e grupeve kriminale serbe, por edhe ato shqiptare që bashkëpunojnë me botën e krimit në veri të Kosovës.

Burimet saktësojnë se operacionet policore janë përgatitur të kryhen pas datës 6 maj, konkretisht pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe.

Operacionet vijnë pas protestave të zhvilluara muajin e kaluar nga të rinjtë kosovarë kundër misionit EULEX, për tolerimin që sipas tyre misioni u bën kriminelëve serbë në veri.

Të rinjtë protestuan pas vrasjes së shqiptarit Selver Haradinaj në veri të Mitrovicës dhe akuzuan EULEX-in se vihet në lëvizje vetëm për të arrestuar ish-luftëtarët e UÇK-së.

Gjithashtu, aksionet e paralajmëruara vijnë pas shumë kritikash të bëra në adresë të misionit evropian, veprimtaria e të cilit kundër krimit dhe korrupsionit është cilësuar jo pak herë e dështuar.

Top Channel